Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, në fjalën e tij gjatë seancës së sotme parlamentare, ka thënë se, nuk e di se a është rastësi apo e sinkronizuar që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vucic, po flasin për marrëveshjen në kuvendet përkatëse, shkruan Gazeta Metro.
Ai në fjalën e tij, tha se, Kurti sot njoftoi një lajm që Kosovën e fut në një drejtim të ri.
“Nuk e di a është rastësi apo e sinkronizuar midis presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, mirëpo në media raportohet që ai është duke e mbajtur një seancë për Kosovën në Parlamentin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, kryeministri sot na jep një lajm që Kosovën e fut në një drejtim të ri”, tha Tahiri.
Tutje, deputeti i PDK’së deklaroi edhe se, qeveria e Kosovës do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Qeveria Kurti do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Pra, ky moment, kjo ditë, duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë këto lajme”, tha Tahiri ndërtjerash. /gazetametro.net