Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot anëtarët e korit “Siparantum”, pas paraqitjes së suksesshme të tyre në Kuala Lumpur.
Kori kosovar u vlerësua me dy medalje të arta dhe një çmim special në garën ndërkombëtare, ku morën pjesë më shumë se 200 ansamble korale nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë takimit, Haxhiu tha se ishte kënaqësi të priste përfaqësuesit e “Siparantum”, të cilët në skenën ndërkombëtare sollën vepra që promovojnë muzikën, kulturën dhe historinë shqiptare.
“I përgëzova të gjithë, e në veçanti dirigjentin dhe kompozitorin Memli Kelmendi, për punën dhe përkushtimin me të cilin e kanë bërë “Siparantum”-in të njohur në skenën ndërkombëtare”, tha ajo.
Haxhiu vlerësoi angazhimin e korit dhe të udhëheqësit të tij artistik, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës përmes artit dhe kulturës në arenën globale.