Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka folur sot në në Komisionin për Shëndetësi për situatën me pandeminë në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Latifi u hspreh se numri më i madh i të infektuarve në Kosovë është me variantin Omicron, ndërsa sipas tij, numri i atyre që kërkojnë kujdes në spital, sidomos në kujdesin intensiv ende është i menaxhueshëm.
Ai bëri të ditur se për personelin mjekësor të infektuar kanë ndërruar strategji rreth kthimit në punë, pasi sipas tij punëtorët shëndetësorë të cilët brenda pesë dite nuk kanë shenja klinike të infeksionit atëherë mund të kthehen në punë. Duke folur për masat, ministri Latifi tha se vendimet për masa merren pas konsultimit me të gjithë hisedarët.
Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi ku po raporton ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen me pandeminë COVID-19.
Ai ka thënë se ministri Latifi po vazhdon të ndihet komod me situatën pandemike në vend.
“Ne jemi në situatë pandemike dhe duke u përballur me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të infeksionit. Na intereson nëse është nga paaftësia qeverisëse të shohemi çfarë mundemi me ndihmu në këtë pjesë, nëse është nga mungesa e informacionit dhe neglizhenca që është parë nga këta tre muajt e fundit, pa dashur që detyrimisht të ju bëjë juve pjesë të kësaj, sepse këtë logjikë e kemi parë edhe në pjesën e parë të vitit të kaluar ku pasojat janë evidente verës, që ndërlidhen edhe me masat, që masa e sfidonte masën, dhe kjo logjikë duket se ju është dërguar dhe ju e keni përkrahur në muajin janar”, ka deklaruar Zemaj./gazetametro.net