Loading…

Sjelljet e zyrtarëve të BE’së për Kosovën të ngjashme si të Serbisë

  • 25/04/2017 | 18:46

Sjelljet e zyrtarëve të BE’së për Kosovën të ngjashme si të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar kritikat dhe gjuhën e ashpër ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Madje, ai kësaj radhe ka barazuar deklaratat e tyre me ato të përfaqësuesve serb. Ai ka thënë se nuk pret nga shteti serb që të heq dorë nga synimet e tij të njohura për Kosovën, por pret nga BE që të mos bie pre e propagandës serbe.


“Nuk ka asgjë më të pështirë dhe njëkohësisht qesharake, se të dëgjosh dokrrat e Serbisë për gjoja “përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe”, ka shkruar Thaçi, përcjell gazetametro.net

Sipas tij, “riaktualizimi i kësaj propagande të vjetër të kohës së Millosheviqit ka dy qëllime thelbësore”.

Së pari, “të legjitimoj funksionimin e Serbisë së Madhe të krijuar përmes gjenocidit të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Dhe së dyti, “t’i nxis elementet nacionaliste dhe ekstremiste për të destabilizuar dhe cenuar integritetin territorial të Kosovës. Serbisë asnjëherë nuk i ka penguar Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar ish-kreu i PDK’së në rrjetin social Facebook, përcjell gazetametro.net

Ai ka thënë se sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës janë të përhershme.

“Në takimet e dialogut në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë pa fije turpi kanë thënë disa herë se Serbia do të preferonte të dialogonte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Por, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i përhershëm”, ka shkruar presidenti Thaçi.

“E gjithë kjo fushatë e orkestruar nga Serbia është e përgatitur nga protagonistët e njëjtë, të cilët 20 vjet më parë kanë ushtruar zanatin e njëjtë. Fatkeqësisht, BE-ja me naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande të Serbisë”, ka thënë tutje ai në vazhdën e replikave të ashpra që erdhën nga zyrtarët serb, por edhe të BE’së, pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se nëse BE nuk i hap dyert atëherë Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen.

“Për rrjedhojë, nuk është rastësi që sjelljet dhe deklaratat e disa zyrtarëve të BE-së përputhen me ato të zyrtarëve të Serbisë kur i referohen Kosovës. Unë nuk pres prej Serbisë të heq dorë nga ëndrrat e saj për përpjekje të serishme për rikthimin e Kosovës nën regjimin e saj, edhe pse e dinë që kjo është e pamundur”’, tha ai.

Thaçi në fund ka treguar pritshmërinë e tij ndaj BE’së, ai ka thënë se pret nga BE’ja që “ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos manipulohet kaq lehtë nga Serbia”. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë