Loading…

‘S’ka më normalitet!’ – Kryesia e PDK’së: VV po cenon rendin kushtetues, do të ndërmarrim hapa

  • 10/08/2026 | 18:33

‘S’ka më normalitet!’ – Kryesia e PDK’së: VV po cenon rendin kushtetues, do të ndërmarrim hapa

Partia Demokratike e Kosovës zhvilloi sot një takim të kryesisë, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit politike dhe bllokada institucionale në vend, shkruan Gazeta Metro.


Pas diskutimeve, PDK-ja shprehu shqetësim të thellë për mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit. Sipas kësaj partie, situata ka kaluar përtej një përplasjeje politike mes subjekteve dhe po prek funksionimin e institucioneve të Republikës.

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, deklaroi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza rikujtoi se afati i përcaktuar për konstituimin e Kuvendit ka kaluar, ndërsa sipas tij, institucionet ende nuk kanë arritur të dalin nga situata e krijuar.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, tha Hamza.

Në qëndrimin e saj, PDK-ja akuzoi pushtetin për zbatim selektiv të rregullave dhe ka insistuar se parimet kushtetuese nuk mund të përshtaten sipas interesave të momentit politik.

“Kushtetuta nuk është opsionale. Institucionet nuk mund të funksionojnë sipas vullnetit të një partie. Kushtetuta përcakton rregullat e ushtrimit të pushtetit, garanton ndarjen dhe balancimin e tij dhe mbron rendin demokratik. Ndërsa në Kosovë pushteti po e pezullon Kushtetutën për nevojat e veta politike”, u tha në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së.

Partia bëri të ditur se do ta shtrijë reagimin e saj politik në të gjitha strukturat dhe degët në vend, ndërsa ka paralajmëruar edhe veprime të tjera në ditët në vijim.

“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, deklaroi Hamza.

Në përfundim, PDK-ja njoftoi se do të përdorë mekanizma ligjorë dhe politikë, si dhe do të kërkojë bashkëpunim me aktorë të tjerë, me synimin për të kundërshtuar atë që e konsideron cenim të rendit kushtetues.

“PDK-ja do të ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Këto veprime do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, që besojnë se shteti dhe Kushtetuta janë mbi çdo parti dhe mbi çdo individ. Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtet-formuese, e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare që të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale” thuhet në komunikatë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë