Loading…

S’ka ndeshje në ‘Fadil Vokrri’: Përplasje mes Prishtinës dhe FFK’së, klubi nuk pranon vendimin

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 30/09/2022 | 17:12

S’ka ndeshje në ‘Fadil Vokrri’: Përplasje mes Prishtinës dhe FFK’së, klubi nuk pranon vendimin

Sot u raportua se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas rekomandimeve nga eksperti i UEFA’s, Neil Rodgers ka marrë vendim se në muajin tetor stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të përdoret vetëm për ndeshjet si vendas të Kombëtares së Kosovës U-17. Ndërkaq, Gazeta Metro më pas kuptoi se në ‘Fadil Vokrri’ mund të luajë edhe Ballkani ndeshjet në Conference League. Tani, Gazeta Metro ka arritur të siguroj edhe letrën e dërguar nga klubi i Prishtinës drejtuar Komisionit të Garave të FFK’së.


Në ‘Fadil Vokrri’ siç dihet muajt e fundit janë zhvilluar shumë ndeshje e kjo ngarkesë e madhe ka bërë që gjendja e barit të stadiumit të mos jetë në nivelin e duhur. Me ç’rast sipas vendimit të FFK’së Prishtina nuk do të luajë asnjë ndeshje si vendase gjatë muajit tetor.

Në letrën e Prishtinës të dërguar në drejtim të FFK’së fillimisht thuhet se në shkresën e marrë nga autoriteti më i lartë i futbollit të Kosovës mungon raporti i inspektimit, për të cilin klubi ka dyshimet saj nëse ‘ekziston’.

”Konfirmojmë marrjen e shkresës së datës 30.09.2022 me titull: “Gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kësaj shkrese i mungon raporti i inspektimit, gjithnjë nëse një raport i tillë ekziston. Në fakt, mungesa e këtij raporti është e pritshme sepse në rastet e inspektimit konkluzioni logjik është fusha: 1. I plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve 2. Nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve 3. I plotëson kriteret me kusht të përmirësimit 1,2,3…” thuhet në letrën e parë nga Gazeta Metro.

Sipas skuadrës më të trofeshme në vend shkresa e dërguar është qesharake dhe në mënyrë ironike thonë se iu vjen keq në situatën në të cilën ndodhet FFK.

Më tutje, thuhet se gjendja e rënduar e fushës ka ardhur për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe keq-shfrytëzimit të fushës nga ana e FFK’së për shkak se ka lejuar zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve krejtësisht të ‘panevojshme’ dhe pa asnjë kriter të kategorive të ndryshme të klubeve të futbollit të rajoneve tjera duke ndikuar në gjendjen e rënduar të fushës.

Bordi Drejtues i klubit ka thënë se është obligim i Federatës të gjejë alternativa të tjera për zhvillimin e ndeshjeve të Kosovës U-17 dhe Ballkanit, mirëpo ”jo në kurriz të FC Prishtinës gjë të cilën jeni duke e bërë në vazhdimësi.”

Ky vendim i FFK’së nuk është pranuar nga klubi dhe pretendojnë se do t’i zhvillojnë ndeshjet në ‘Fadil Vokrri’ sipas orarit të paraparë nga FFK, shkruan Gazeta Metro.

Në fund, thuhet se Prishtina është e gatshme që ta koordinojë orarin sipas kërkesave të FFK’së dhe Ballkanit. Mirëpo, për një gjë të tillë duhet të dërgojnë kërkesë zyrtare që të shqyrtohet nga klubi dhe pastaj të vendoset nëse këto ndeshje do të mund të zhvillohen në ‘Fadil Vokrri’.

Duhet theksuar, gjithashtu se Prishtina është shfrytëzuesi ligjor i stadiumit të cilën e ka në pronësi Komuna e Prishtinës.

Kujtojmë se ndeshja e radhës e Prishtinës në stadiumin e lartcekur është pikërisht të dielën kundër Trepçës’89 në kuadër të javës së nëntë të Superligës së Kosovës. /gazetametro.net 

Lajm i mirë: Ballkani do t’i luajë ndeshjet e Conference League në ‘Fadil Vokrri’, nuk vlen bllokada e UEFA’s për ta

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë