Është thyer me forcë dera e një zyrtari të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga kolegu i tij, derisa i dëmtuari ishte në pushim pa pagesë.
Një incident Brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndodhur muajin e kaluar kur një zyrtar i lartë ka hyrë me forcë në zyrën e kolegut të tij.
Ragip Zejnullahu
Burime të ndryshme brenda këtij dikasteri i kanë thënë KTV’së, se udhëheqësi i departamentit për shërbime të përgjithshme Ragip Zejnullahu ka hapur me forcë derën në zyrën e Amir Hazirit i cili mbulon departamentin për rajon.
Amir Haziri
Incidenti ka ndodhur më 5 korrik, në kohën kur Haziri gjendej në pushim pa pagesë. Burimet i kanë thënë KTV’së, se Zejnullahu ka marrë Disa dokumente nga zyra e tij. Me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka zbarkuar në MPJD dhe ka intervistuar të dyshuarit. Ndërkaq duhet cekur se zyrtari Haziri kishte shërbyer në Beograd dhe Kroaci si diplomat gjatë 5 viteve të fundit.
KTV raporton se Ministria nuk ka ofruar përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me incidentin. Ngjarjen nuk e kanë mohuar zyrtarët e përfshirë, teksa kanë kërkuar që përgjigjet të kërkohen nëpërmjet Zyrës për Informim.
“Krejtë çka mundem me ju thënë është ju lutem folni me policinë dhe ministrinë, nuk di kurrgjë çka ka ndodhur. Jam edhe tri Javë në pushim, kur të dalë në ministri i takojë kolegët, sekretarin, drejtorin administrativ dhe e Shoh çka është çështja dhe çka ka ndodhur”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, zyrtari i dyshuar nuk ka dashur të flasë fare për çështjen, duke I kërkuar gazetarit që të kontaktojë me Zyrën për Informim.
“Kontaktojeni Zyrën për Informim. Ata merren me informatat që dalin jashtë ministrisë, kështu që drejtojuni atyre”, ka thënë Zejnullahu.