Skandali i basteve në sportin amerikan shpërtheu si një tronditje e madhe, kur disa figura të njohura të NBA’së dhe MLB’së u përfshinë në hetime federale për manipulime dhe rrjedhje informacioni për bastvënësit. Rasti ngriti shqetësime serioze për ndikimin e legalizimit të lojërave të fatit në integritetin e sportit profesionist në SHBA.
Një nga emrat kryesorë ishte Terry Rozier, lojtar i Miami Heat, i cili dyshohet se kishte informuar një mik se do të dilte herët nga një ndeshje NBA-je. Ky informacion më pas iu shit bastvënësve për të fituar para nga bastet sportive. Edhe pse kishte fituar mbi 150 milionë dollarë gjatë karrierës, ai përfundoi nën hetim federal, siç raporton The New York Times, transmeton Gazeta Metro.
Një tjetër figurë e përfshirë ishte Chauncey Billups, ish-yll i NBA-së dhe trajner i Portland Trail Blazers. FBI e arrestoi me dyshimin se ishte pjesë e një rrjeti pokeri të manipuluar dhe se kishin rrjedhur informacione mbi formacionet e ekipit për bastvënësit. Ndërkohë, ish-lojtari Damon Jones u akuzua se kishte shitur informacione të brendshme për gjendjen fizike të lojtarëve të LA Lakers.
Skandali u thellua edhe më shumë me rastin e Jontay Porter, ish-lojtar i Toronto Raptors, i cili pranoi fajësinë pasi kishte manipuluar performancën e tij në ndeshje për të ndihmuar bastvënësit të fitonin. Ai madje kishte vendosur baste edhe mbi ekipin e tij, gjë që çoi në përjashtimin e përhershëm nga NBA.
Probleme të ngjashme u zbuluan edhe në baseball. Ylli i Cleveland Guardians, Emmanuel Clase, u akuzua se u jepte njerëzve informacione paraprake për hedhjet që do të bënte gjatë ndeshjeve, në mënyrë që ata të fitonin nga bastet. Prokurorët pretendojnë se ai përdorte gjuhë të koduar për të fshehur komunikimet dhe kishte përfshirë edhe bashkëlojtarë në skemë.
Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se SHBA po përballet tani me të njëjtat probleme që Evropa ka pasur prej vitesh me manipulimin e ndeshjeve dhe korrupsionin sportiv. Legalizimi i shpejtë i basteve sportive, reklamat masive dhe mungesa e një sistemi unik kontrolli kanë krijuar terren të rrezikshëm për abuzime.
Sipas specialistëve të integritetit sportiv, sfida më e madhe është mbrojtja e sportit nga ndikimi i parave të basteve. Ata theksojnë se nevojitet bashkëpunim më i fortë mes ligave sportive, autoriteteve shtetërore dhe organeve ligjzbatuese për të parandaluar manipulimin e ndeshjeve dhe shitjen e informacioneve të brendshme.