Emisari i BE’së për Dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, si rrallëherë foli për media dhe shprehu atë që mund të thuhet pakënaqësi me të dyja palët në procesin e normalizimit të të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të cilat kanë shpërfillur zotimet e tyre të detyrueshme, transmeton Gazeta Metro.
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian, Peter Sorensen, në një intervistë për Gazetën Express të mërkurën ishte i drejtpërdrejtë në kritikat e tij për të dy palët në proces por u pyet rreth palës kosovare më tepër dhe si rrallëherë shprehu qëndrimin që tashmë bëhet e ditur është edhe i Bashkimit Europian.
Diplomati u pyet edhe rreth zhvillimit të fundit që i përkiste kërkesës për deeskalim të situatës në Veri, që kishte të bënte me rikthimin e zyrtarëve serbë që u dorëheqën nga institucionet publike të cilët iu pamundësua kjo në fund të muajit korrik. Sorensen tha se vendimi ishte politik dhe sipas tij edhe në kundërshti me legjislacionin kosovar.
“Si rregull i përgjithshëm, unë nuk i bëj publike takimet e mia. Bashkëbiseduesit e mi mund ta bëjnë këtë, por unë jo. Shpeshherë, diplomacia e heshtur është ajo që i shërben më së miri procesit. Për sa i përket çështjes që gritët, qëndrimi i BE-së është i qartë dhe publik. Vetë Kushtetuta e Kosovës kërkon një sistem drejtësie shumetnik. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës – në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me marrëveshjet e Dialogut, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila është në fuqi që nga viti 2017. Ne e mirëpritëm tërheqjen e dorëheqjeve të gjykatësve dhe prokurorëve serbë të Kosovës më 15 korrik. Ne shprehëm shqetësim për atë që pasoi. Pranimi i dorëheqjeve që tashmë ishin tërhequr duket se bie në kundërshtim me vetë ligjin e Kosovës dhe me procedurat e rregullta ligjore. Kjo është çështje që lidhet me sundimin e ligjit, jo me politikën.”
I pyetur si do t’i qaset BE tutje kësaj situate ai ishte i prerë se kjo varet nga trajtimi që i bëhet komunitetit etnik serb në Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e saj.
“Nuk do t’i rikthehem çështjes së vitit 2022 dhe nuk do të përshkruaj procedurën. U takon institucioneve të Kosovës të veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e tyre. Ajo që do të vlerësojë BE-ja është rezultati: një sistem gjyqësor dhe prokurorial vërtet multietnik, në të cilin komuniteti serb i Kosovës përfaqësohet në mënyrë efektive – dhe të cilit i beson.”
Sorensen e theksoi se shefja e diplomacisë së Komisionit Europian Kaja Kallas është e informuar me zhvillimet duke e bërë të ditur se ky qëndrim i tij së fundi është i Bashkimit Europian rreth këtij procesi.
‘Përfaqësuesja e Lartë është plotësisht e informuar – unë i raportoj asaj dhe normalizimi është një çështje thelbësore në agjendën e saj. Mandati im është ta lehtësoj dhe ta mbështes atë; i saj është të përcaktojë drejtimin politik dhe ajo angazhohet në nivelin e saj kur është e dobishme. Megjithatë, do të doja të tërhiqja vëmendjen kundër supozimit se angazhimi në nivele më të larta të zinxhirit të BE-së mund të zëvendësojë vendimet që vetëm Palët mund t’i marrin. Asnjë aktor i jashtëm nuk mund t’i zbatojë këto marrëveshje në emër të tyre. Këtë mund ta bëjnë vetëm Beogradi dhe Prishtina.’/gazetametro.net