Sistemi europian për sigurinë ushqimore RASFF ka njoftuar se më 12 maj një ngarkesë me spec me origjinë nga Kosova është ndaluar në kufirin e Finlandës pasi ka rezultuar me tejkalim të normave të lejuara të mykotoksinës Ochratoxin A (OTA), shkruan Gazeta Metro.
Sipas raportit, gjatë kontrolleve dhe analizave laboratorike, kampionët e marrë nga autoritetet finlandeze kanë treguar prezencë të Ochratoxin A në nivel prej 92,5 µg/kg (ppb), ndërsa limiti i lejuar është 20 µg/kg (ppb). Për shkak të këtij rezultati, ngarkesa është konsideruar me risk serioz për shëndetin e konsumatorëve dhe është urdhëruar kthimi i saj në vendin e origjinës.
Speci, i bluar apo i papërpunuar, është një produkt që konsumohet gjerësisht në Kosovë. Deri më tani nuk ka njoftime publike nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës lidhur me këtë rast, si dhe nuk dihet nëse janë ndërmarrë kontrolle apo janë marrë mostra në kompaninë eksportuese.
Ndërkohë, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) ka publikuar më herët një opinion shkencor mbi rreziqet që lidhen me praninë e Ochratoxin A në ushqim. Sipas EFSA, OTA është një mykotoksinë që mund të gjendet në produkte të ndryshme ushqimore si drithëra, fruta të thata, mishra të konservuar dhe djathë.
Të dhënat e reja sugjerojnë se Ochratoxin A mund të ketë potencial gjenotoksik, duke dëmtuar ADN-në, si dhe mund të jetë kancerogjene për veshkat. Për këtë arsye, ekspertët kanë përdorur metodën e vlerësimit të rrezikut MOE (Margin of Exposure), duke arritur në përfundimin se ekziston shqetësim për shëndetin publik për shumicën e grupeve të konsumatorëve./gazetametro.net
