Loading…

Sqarohet KQZ: Lista votuese jashtë vendit është certifikuar, procesi i telefonatave është përmbyllur

  • 03/02/2021 | 10:41

Sqarohet KQZ: Lista votuese jashtë vendit është certifikuar, procesi i telefonatave është përmbyllur

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një sqarim të rëndësishëm për aplikuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit.


Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Ekonomia Online përmes një përgjigjeje me shkrim se “procesi i verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit edhe përmes telefonit është përmbyllur mbrëmjen e së martës”.

“KQZ-ja ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, përfshirë dhe votuesit jashtë vendit. Sipas kësaj liste janë 102 mijë e 100 votues të cilët janë aprovuar nga KQZ-ja pasi kanë plotësuar kriteret e zotësisë juridike. Në mesin e këtyre votuesve janë përfshirë edhe aplikuesit të cilët ne nuk kemi arritur t’i kontaktojmë përmes telefonit apo që nuk janë lajmëruar në telefon”, tha Elezi.

Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, ky institucion mori vendim të rëndësishëm për aplikuesit nga jashtë vendit të cilët kanë plotësuar kriteret e zotësisë juridike për t’i regjistruar si votues jashtë vendit edhe pse disa prej tyre nuk ishin telefonuar akoma apo nuk ishin lajmëruar në telefon.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha dje në mbledhjen e KQZ-së se e drejta kushtetuese për të votuar nuk do t’i mohohet askujt, ndërsa falënderoi diasporën për interesimin e jashtëzakonshëm për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Sipas KQZ-së, gjatë periudhës së aplikimit KQZ-ja ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim. Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë