Loading…

‘Stabiliteti dhe prosperiteti kyç’: Cassis takohet me Shiroka-Pulën, riafirmon mbështetjen për Kosovën

  • 05/11/2026 | 14:01

‘Stabiliteti dhe prosperiteti kyç’: Cassis takohet me Shiroka-Pulën, riafirmon mbështetjen për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës dhe kryesuesi i OSBE-së, Ignazio Cassis, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, përcjell Gazeta Metro.


Përmes një njoftimi në rrjetin social X, Cassis ka thënë se është i kënaqur me pritjen nga presidentja e Kosovës, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sfidat rajonale dhe kryesimin zviceran të OSBE-së.

“Diskutuam për lidhjet tona të afërta, sfidat rajonale dhe kryesimin zviceran të OSBE-së. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe operacioneve në terren të OSBE-së në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë kyç”, ka shkruar Cassis.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, Shiroka-Pula i ka kërkuar ministrit zviceran vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Gjatë takimit, presidentja ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e falënderuar Cassis-in për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë.

“Presidentja theksoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë kontekst, Shiroka-Pula ka vënë në pah edhe rëndësinë e mërgatës shqiptare, e cila kontribuon në Zvicër dhe përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve.

Ajo ka shprehur mirënjohje për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa Cassis ka rikonfirmuar se Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë