Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar situatë të rëndë në Stamboll të Turqisë, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në zona të ndryshme të qytetit, transmeton Gazeta Metro.
Sipas raportimeve të mediave turke, shirat e fuqishëm që përfshinë qytetin të mërkurën kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe kanë përmbytur banesa e lokale afariste. Në disa pjesë, automjetet kanë mbetur të bllokuara nga uji, ndërsa transporti është ndërprerë.
Situata është rënduar edhe nga grumbullimi i ujit në nënkalime dhe tunele, si dhe nga rrëshqitjet e dheut të raportuara në disa zona.
Për shkak të kushteve të krijuara, mësimi në shkollat e Stambollit është pezulluar gjatë së enjtes.
Ndërkohë, ekipet e emergjencës po vazhdojnë ndërhyrjet në terren për t’u ardhur në ndihmë personave të bllokuar nga vërshimet. Autoritetet po përballen me pasojat e reshjeve, të cilat kanë prekur pjesë të shumta të metropolit turk./gazetametro.net