Një komision hetimor i autorizuar nga qeveria suedeze ka propozuar që fëmijëve nën moshën 15 vjeç t’u ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale. Propozimi vjen pas një vlerësimi mbi ndikimin e platformave digjitale te të rinjtë, transmeton Gazeta Metro.
Ministri suedez i Shëndetësisë Publike, Jakob Forssmed, tha se përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale po ndikon negativisht te të rinjtë, duke paralajmëruar se një brez i tërë rrezikon të humbasë në konsumimin e vazhdueshëm të përmbajtjeve online.
Sipas rekomandimeve të komisionit, platforma si Snapchat, Instagram, Facebook, TikTok dhe YouTube do të jenë përgjegjëse për verifikimin e moshës së përdoruesve. Ndërkohë, platformat e lojërave si Roblox, Minecraft dhe Fortnite mund të përjashtohen nga ky kufizim, shkruan Euronews.
Propozimi do t’u dërgohet institucioneve dhe palëve të interesuara për konsultim, ndërsa synohet që legjislacioni i ri të jetë gati deri më 1 janar 2028. Kujtojmë se në vitin 2025, Australia u bë vendi i parë që vendosi kufizime të ngjashme për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët./gazetametro.net