Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, reagoi pas paraqitjes së sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i vlerësuar rezultatet e tyre si një kontribut të rëndësishëm për imazhin e Kosovës jashtë vendit, transmeton Gazeta Metro.
Gjini ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e Kosovës që garuan në këtë ngjarje sportive, ndërsa veçanërisht ka përmendur medalistët Donjeta Sadiku, Islam Selmani, Laura Fazliu, Kianoush Rostami, Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj.
“Sot, kur politikës kosovare po i bëhet gjithnjë e më e vështirë të depërtojë në institucionet ndërkombëtare, sportistët tanë, si ambasadorët më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, po hapin rrugë dhe po e përfaqësojnë Kosovën si shtet të barabartë me çdo shtet tjetër në botë”, tha Gjini.
Ai ka veçuar edhe faktin se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të mbahet në Kosovë në vitin 2030, duke vlerësuar se kjo e rrit peshën e rezultateve të arritura në “Taranto 2026”.
Sipas Gjinit, institucionet duhet të shtojnë përkrahjen ndaj sportit, si përmes investimeve në infrastrukturë, ashtu edhe përmes financimit të qëndrueshëm.
“Është detyrim i yni institucional t’u krijojmë kushte të dinjitetshme infrastrukturore dhe financim adekuat, në mënyrë që të krijojmë strategji të qëndrueshme shtetërore për sportin”, ka deklaruar ai.
Në përfundim, kreu i Aleancës ka uruar sportistët kosovarë për rezultatet e arritura, duke u dëshiruar suksese të tjera në garat e ardhshme.