Një sulm terrorist ka ndodhur jashtë ndërtesës ku ndodhet Konsullata e mbyllur izraelite në Stamboll, ku sipas të dhënave fillestare, një sulmues u vra dhe dy të tjerë u plagosën rëndë pas një shkëmbimi zjarri me njësitë e policisë të vendosura në zonë, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarja ndodhi në Beshiktash, një zonë me prani të lartë sigurie, përderisa autoritetet konfirmuan gjithashtu se dy efektivë policie pësuan lëndime të lehta gjatë incidentit.
Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit nisi hetim menjëherë pas raportimeve për të shtëna. Një zëvendëskryeprokuror dhe dy prokurorë u caktuan për ndjekjen e çështjes. Ekipet gjyqësore kryen ekzaminime në vendngjarje në kuadër të një hetimi të përshkruar si i përpiktë dhe shumëplanësh.
Sipas autoriteteve, ndërtesa e konsullatës nuk ka qenë funksionale për rreth 2.5 vjet dhe në momentin e incidentit nuk kishte personel diplomatik të pranishëm.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se tre sulmuesit u neutralizuan pas përplasjes me policinë pranë kompleksit Yapı Kredi Plaza. Hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit kishin udhëtuar nga Izmiti me një automjet me qira. Njëri prej tyre dyshohet për lidhje me një organizatë të akuzuar për shfrytëzim të fesë, ndërsa një tjetër ka precedent penal për drogë./gazetametro.net