Loading…

Sulme të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri, asnjë i arrestuar

  • 09/12/2022 | 10:39

Sulme të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri, asnjë i arrestuar

Foto ilustrim

Edhe gjatë këtij viti, kanë ndodhur sulme të vazhdueshme në drejtim të zyrtarëve policorë në veri të Kosovës por nuk ka pasur asnjë të arrestuar. Sulmet ishin të llojeve të ndryshme duke filluar nga gjuajtja me gurë e deri te sulmet me kallashnikov e granata dore.


Policia e Kosovës tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë mbrëmjen e së enjtes në një sulm i armatosur në veri.

Në një njoftim të policisë thuhet se në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, njësitë e policisë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata. Si pasojë e incidentit, një pjesëtarë i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Mirëpo sulme të tilla të armatosura ndaj Policisë së Kosovës nuk janë risi në veriun e banuar me shumë serbe.

Gjatë muajit nëntor, Policia e Kosovës ishte sulmuar në Jasenovik të Zubin Potokut derisa pjesëtarët e policisë po kryenin detyrat në stacionin policor kufitar.

“Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët policorë të cilët kanë qenë me detyrë në stacionin policor kufitar në Jasenovik, kanë informuar se me datë 02 nëntor 2022 gjatë natës kanë dëgjuar të shtëna armesh (dy të shtëna radhazi), përderisa ishin në realizim të detyrave të tyre në vendin e quajtur Jabuke”, thuhej në komunikatën e policisë.

Një polic i Policisë Kufitare është sulmuar në pikën kufitare në veri të Kosovës edhe gjatë muajit shtator.

Sulmi është kryer nga një grup njerëzish derisa polici po e përcillte në stacion policor personin që tentoi ta kalonte ilegalisht kufirin.

Pjesëtarët e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit Zubin Potok, edhe të shtunën e 6 gushtit ndërsa po vendosnin një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit janë sulmuar me armë zjarri.

Nga këto shtëna fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës gjatë muajit prill janë sulmuar gjashtë herë.

Persona të panjohur në atë kohë kanë gjuajtur kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47, granata dore, po ashtu janë vendosur iriqë metalik në rrugë dhe mjete tjera të forta.

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon, ndër vite, ka qenë vatër e trazirave.

Se policët në Kosovë janë në rrezik për jetën e tregojnë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës. 21 është numri i atyre që kanë rënë në detyrë që nga paslufta.

Ndërsa, sa i përket lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, policia thotë se në vitin 2021 janë gjithsej 208, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 janë 116.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë