Pas një fushate alarmi të nisur sot nga mëngjesi në Beograd nga ana e liderëve instutucional serb dhe mediave atje, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar situatën si propagandë të orkestruar të Serbisë.
Thaçi ka thënë të jetë i zhgënjyer dhe i shqetësuar me fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës.
“Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, njofton Zyra e Presidentit.
Përgjatë gjithë historisë së deritashme, sipas tij, shteti i Serbisë e ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllime të veta politike komunitetin serb që jeton në Kosovë.
Pasojat e një qasje të tillë destruktive, siç ka thënë ai, janë evidente edhe sot.
Në këtë kontekst, ai e ka ftuar sërish Serbinë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, ka deklaruar Thaçi.
Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, sipas tij, duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.