Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, reagoi ashpër ndaj vendimit gjyqësor të gjyqtarit Hasan Kryeziu, i cili siç tha ai në vetëm 7 ditë dhe dy seanca i dha 32 milionë euro një konsorciumi kompanish private që më parë kishin dështuar të përvetësonin pronën publike në qendër të Prishtinës, transmeton Gazeta Metro.
Sipas Tahirit, një proces për “fitim të humbur” me vlerë kaq të madhe zakonisht kërkon muaj e vite, ekspertiza të shumta dhe analiza të thella juridike.
“Jo 7 ditë. Jo 2 seanca. Kjo nuk është normale. Kjo është alarmante”, shkroi ai.
Tahiri gjithashtu theksoi se vendimi për t’ia dhënë kompanive pronën në shfrytëzim të përhershëm ishte marrë më parë nga njerëzit e Lëvizja Vetëvendosje, kur e qeverisnin kryeqytetin, ndërsa vendimi për dëmshpërblim prej 32 milionë eurosh është marrë nga një gjykatë e themeluar nga Grupi Parlamentar i VV-së. Sipas tij, kjo nuk është rastësi, por pasqyron logjikën qeverisëse të partisë në pushtet.
Megjithatë, Tahiri shprehet i bindur se në Gjykatën Komerciale ka gjyqtarë të ndershëm dhe profesionistë, të cilët në apel do të vendosin drejtësinë në vend./gazetametro.net