Loading…

“Supermenët” e shtetit, zyrtarët që kryejnë deri në gjashtë funksione

  • 12/05/2021 | 16:10

“Supermenët” e shtetit, zyrtarët që kryejnë deri në gjashtë funksione

Kryeprokurori i Shtetit, kreu i IKSHPK-së e së fundmi edhe një i emëruar i Qeverisë Kurti mbajnë deri në gjashtë vende pune – shumicën punë të shtetit.


Gjetja e një vendi pune vazhdon të mbetet sfidë për shumë kosovarë. Por, për dallim prej tyre, ka disa që kanë deri në gjashtë vende të punës.

I tillë është edhe rasti i profesorit Naser Ramadani. Ai udhëheq me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tash e 15 vjet.

E pavarësisht punës që bën në IKShP, atij i del kohë që të bëjë edhe punë të tjera. Bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit para një viti, ai ushtronte shtatë funksione.

Ai merrte 14 mijë euro IKSHP-ja, rreth tetë mijë euro nga Universiteti i Prishtinës, mbi 1 mijë euro të tjera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, rreth 5 mijë e 300 euro nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (deri kur u shkarkua Bordi nga Qeveria Kurti 1) dhe mbi 1 mijë e 700 euro nga Ministria e Shëndetësisë.

Te të dhënat e tjera, profesor Ramadani kishte deklaruar se merr edhe rreth tetë mijë euro nga një kolegj privat dhe 9 mijë e 180 euro nga konsulenca KFOR-NATO.

Në total, të hyrat vjetore të tij sillen rreth 48 mijë euro. Por, Ramadani nuk është i vetmi që kryen më shumë se një punë.

Gjashtë funksione i kryente deri vonë edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Përveç funksionit si Kryeprokur i Shtetit, Lumezi është edhe anëtar i Bordit në Akademinë Policore, kryetar i Bordit në Akademinë e Drejtësisë, anëtar i Këshillit Prokurorial, anëtar i Bordit të Inteligjencës Financiare, derisa deri vjet ka qenë edhe kryetar i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Por, pavarësisht se kryente të gjitha këto funksione, nga Prokuroria e Shtetit kishin sqaruar se Lumezi pranon vetëm një pagë.

“Ndërsa, në bazë të ligjeve në fuqi, Kryeprokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare “ex officio”, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Rrjedhimisht, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një page”, kishin deklaruar nga Prokuroria.

Paga e tij vjetore për këto funksione, bazuar në regjistrin e publikuar në AKK, është 41 mijë e 285 euro.

Javët e fundit është zbuluar edhe një “supermen” tjetër. Bëhet fjalë për gjyqtarin Albert Zogaj, i cili është votuar nga Qeveria për të marrë përsipër kryesimin e Komisionit për Provim të Jurisprudencës.

Koha.net raportoi dje se Zogaj aktualisht kryen pesë funksione. Ai është gjyqtar në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, professor në Kolegjin AAB, ligjërues në Akademinë e Drejtësisë dhe konsulent në një OJQ.

Gazeta Express ka kontaktuar me Zogajn për ta pyetur nëse qëndrojnë këto raportime, mirëpo i njëjti vetëm ka thënë se s’ka koment dhe e ka mbyllur telefonin.

“Besoj që është trajtuar kjo çështje. S’kam koment”, ka thënë Zogaj.

Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Zogaj merr nga KGJK’ja 26 mijë euro në vit, rreth 5 mijë e 500 euro nga AAB’ja, si dhe rreth 7 mijë euro, si kompensim, honorar, mëditje për pjesmarrje në trajnime për gjyqtarët, bashkpuntorët, zyrtarët ligjor dhe juristët si dhe për pjesmarrje në tryeza dhe udhëtime jashtë vendit.

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë