Qendra e të Moshuarve ‘Orenda’ në Pejë, ka suspenduar nga puna katër infermiere, për rastin e rrahjes brutale të një moshuare në këtë qendër, shkruan Gazeta Metro.
Një e moshuar është rrahur nga një infermiere në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, derisa koleget e saj nuk tentonin as ta ndalnin, por vetëm e incizonin dhunën që ushtrohej ndaj të moshuarës.
Qendra ‘Orenda’ ka marrë vendim që katër infermiere të suspendohen nga puna.
A.P, A.R, R.K, G.N, janë inicialet e katër infermiereve të suspenduara nga puna.
Policia e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy vajza, pasi në rrjetet sociale u shpërndanë pamjet, ku një grua në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë torturohet e rrahet nga një infermiere, derisa dikush afër saj qesh dhe e incizon.
Policia tha se në orën 14:10, ka arrestuar dy të dyshuarat e përfshira në këtë rast.
Ato janë duke u intervistuar në Stacionin Policor në Pejë.
Videoja që u shpërnda sot në rrjetet sociale ka tronditur vendin. Aty shihet një infermiere që e rrah të moshuarën dhe së paku një grua tjetër që argëtohet duke e parë sulmin. /gazetametro.net