Loading…

Sveçla: Rriten gjasat për koalicion me AKR’në edhe në nivelin qendror

  • Nga

  • 21/12/2016 | 20:18

Sveçla: Rriten gjasat për koalicion me AKR’në edhe në nivelin qendror

Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë zyrtarizuar koalicionin për bashkëqeverisje lokale në Mitrovicë.


Marrëveshjen e koalicionit e kanë nënshkruar Kryetari i Komunës dhe njëherësh Kryetari i Degës së AKR-së në Mitrovicë, Agim Bahtiri dhe kryetari i Qendrës së VV’së në Mitrovicë, Faruk Mujka. Në bazë të saj Mujka është emëruar nënkryetar i komunës.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka dy ditë që nuk ka qenë i qasshëm për të shpalosur më tepër detaje lidhur me këtë rast.

Mirëpo, Kryetari i Anëtarësisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla i cili ka qenë afër këtij procesi tregon për Gazetën Metro se pse partia më e madhe opozitare në vend vendosi ta marrë një hap të tillë, çka mund të presin mitrovicasit nga kjo bashkëqeverisje, si dhe a mund të presim një gjë të njejtë edhe për nivelin nacional.

Ai shprehet i bindur se edhe pse ata do të jenë pjesë e pushtetit për më pak se një vit Lëvizja Vetëvendosje do të arrijë të sjellë shërbime më të mira për qytetarët.

“Edhe pse është një kohë relativisht e shkurtër ne jemi të bindur se nënkryetari dhe drejtorët e përzgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje do të sjellin një qeverisje dinamike dhe shërbime më kualitative për qytetarët e Mitrovicës”, tha Sveçla.

gressa

Se a është një koalicion i tillë me AKR’në tregues se koalicioni është i pritur edhe në nivelin qendror, qoftë ky para apo pas zgjedhor, ai tha se me këtë koalicion realisht shtohen gjasat edhe për koalicionin në nivelin qendror.

“Në momentet e tanishme nuk mund të flasim për koalicione në nivel qëndror. Besoj se organet e të dyja subjekteve do të bisedojnë për këtë kur të jetë koha për këto bisedime. Por, ajo çfarë mund të them është se sigurisht që një qeverisje e koalicionit në nivel lokal do të ndikonte në ritjen e gjasave për bashkëpunim në nivel nacional”, u shpreh ai.

Sipas tij, situata politike dhe e sigurisë në Mitrovicë është jashtëzakonisht e ndjeshme, gjë që nënkupton një angazhim më të shtuar të forcave që besojnë në një Mitrovicë të zhvilluar, prosperuese dhe të shëruar nga të gjitha të këqijat që e përcjellin që nga paslufta deri më tani. Këtë edhe e vlerësoi ai si shtysën kryesore pse ata ndërmorën një hap të tillë.

Një gjë që s’mund ta lëmë anash është realiteti i Mitrovicës së ndarë, së fundi ndërtimi i Murit mbi Ibër. Sveçla, i pyetur se si mund të përmirësojnë situatën në Mitrovicë tha se kjo situatë kërkon përpjekjen edhe të nivelit lokal.

“Ne besojmë se një Mitrovicë e bashkuar mund të bëhet realitet në qoftë se ekziston angazhim i sinqertë i institucioneve të nivelit qëndror, gjë që është evidente që momentalisht mungon por po ashtu besojmë se një qeverisje lokale profesionale, e guximshme dhe e ndershme mund të ndihmojë shumë në arritjen e këtij qëllimi. Ne jemi të bindur se ky rezultat mund të arrihet duke biseduar me serbët lokal e assesi duke negociuar me Beogradin në Bruksel”, përfundoi ai bisedën me Gazetën Metro. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë