Loading…

Syla kërkon rritje 50% të pagave për punëtorët shëndetësorë deri të miratohet Ligji i pagave

  • 24/12/2021 | 12:30

Syla kërkon rritje 50% të pagave për punëtorët shëndetësorë deri të miratohet Ligji i pagave

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, pas protestave të organizuar ditë më parë, sot është takuar me anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.


Kryesindikalisti Blerim Syla u shpreh se urgjent duhet të rregullohet çështja e pagesës së mjekëve dhe infermierëve, ndërsa kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të rriten pagat për profesionistët shëndetësorë për 50% deri të miratohet Ligji për paga, në të kundërtën, ai u shpreh se nëse kjo nuk ndodh nga janari nuk do të mund t’i mbajnë nën kontroll për veprimet e tyre stafin shëndetësor.

Syla u shpreh se frustrimi dhe pakënaqësia në mes punëtorëve shëndetësorë është rritur edhe pas refuzimeve të ekzekutivit për të diskutuar me ta.

“Kërkesat kanë qenë dy: Ligji i pagave që të parashihet në buxhetin për vitin 2022 që pastaj pavarësisht se si do të rrjedh gjërat mos të shkojmë me ata se po e aprovojmë, por nuk ka para, sepse kemi përvoja të tilla, dhe (2) kemi kërkuar deri atëherë rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë, rritjen e pagave e kemi kërkuar 50% […] Pandemia nuk ka përfunduar ende dhe e kemi parë të arsyeshme që edhe në bazë të ligjit mbi pandeminë e keni një arsye, qeveria ka arsye që ta bëjë këtë rritje deri kur të vjen ai ligj, por për fat të keq nuk kemi marr asnjë përgjigje e cila kishte të paktën me bind për të mirë apo për të keq punëtorin shëndetësor. […] Por refuzimi i takimit nga ana e qeverisë e ka irrituar punëtorin shëndetësor, megjithatë jemi munduar të jemi dhe ta ndjekim këtë, por unë kam frikë që këto ditë përfundojnë, vjen janari, pakënaqësitë rriten normalisht neve nuk jemi në gjendje ta mbajmë situatën nën kontroll”, theksoi ai.

Para anëtarëve të Komisionit të Shëndetësisë, Syla ka thënë se mjekët janë ndjerë të ofenduar pasi është vendosur që edhe do ta deklarojnë pasurinë.

“Janë reagime jo të mira, me të vërtetë kanë me ndodh gjëra jo të mira, jo pse nuk duan ata të paraqesin pasurinë, të gjithë janë të disponuar, por disi është si diskriminuese e kanë parë veten të paragjykuar në arsyetimin e këtij ligji andaj kërkoj, se si deputet t’i keni këto parasysh, kur të vijë deri aty sepse kolegët tuaj po paragjykohen për korrupsion”, theksoi ai.

Duke folur për Ligjin e pagave i cili nuk është buxhetuar as për vitin 2022, kryesindikalisti Blerim Syla kërkoi nga anëtarët e këtij Komisioni që të të bëhet një Ligj i pagave vetëm për profesionistët shëndetësorë.

“Nëse krejt nuk po munden, a mundet vëlla me nis ndonjë ligj vetëm për profesionistët shëndetësorë, sepse kështu u bë e tepruar, më nuk mund të krahasohet askush me punëtorët shëndetësorë”, theksoi ai.

Kurse, kryetarja e këtij Komisioni që vjen nga radhët e pozitës, Fatmire Kollçaku iu tërhoqi vërejtën sindikalistëve të pranishëm për grevat e mbajtura dhe protestat e mbajtura në kohë pandemie.

Madje, ajo dha arsyetimin se pse Ligji i pagave nuk është proceduar këtë vit ashtu siç ishte paraparë në agjendën legjislative.

“(Vendimi i qeverisë) i cili thotë se ende jemi në kohën e pandemisë në nivel global dhe besoj që në kohën e pandemisë nuk është mirë që të ftohen greva të përgjithshme sepse vërtetë është në fuqi ai vendim. […] Në bazë të strategjisë legjislative është dashur të vijë këtë vit, është prolonguar për shkak të pandemisë, dhe pritet që do jetë vitin tjetër ”, tha ajo.

Ndërsa, Syla ia ktheu duke i thënë se pasojat për protestat dhe grevat i bartin vetë.

“Puna e çështjes së pandemisë është çështja jonë personale, a e shkelim ligjin, nëse e shkelim ligjin, mund të na dënoni kjo është çështja e parë, por unë kam frikë se ligjin e keni thyer ju më së pari sepse keni ndal mjetet për qershor-maj sikurse nuk ka pasur pandemi, pra atëherë po vlen ligji anti-pandemi, edhe për gusht janë ndal shtesat, kurse ne kur po marrim të bëjmë greva, ne po shkelim ligjin, ne i bëjmë pasojat e burgun”, theksoi ai.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë