Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kritikuar ashpër deklaratën e kryeprokurorit Sylë Hoxha, i cili ka thënë se nuk do ta marrë parasysh raportin e nxjerrë sot, shkruan Gazeta Metro.
Madje, Haxhiu ka thënë se Hoxha dhe disa të tjerë do të kenë përgjegjësi për, siç ka thënë ajo, një krim të dytë, duke aluduar në një fshehje potenciale të provave nga ata.
“Le ta dijnë Sylë Hoxha dhe gjithë të tjerët që janë të përfshirë në tendencën për heshtjen dhe fshehjen e vdekjes së dhunshme të Astritit, se e vërteta mbi vdekjen, do të kuptohet dhe gjithë këta do të marrin përgjegjësinë për këtë krim të dytë!”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, Haxhiu ka thënë se Sylë Hoxha dhë Metush Birraj, janë të kapur dhe se nuk janë të interesuar ta zbardhin rastin ‘Dehari’.
“Për fatin tonë të keq, Sylë Hoxha dhe Metush Birraj, janë soji i prokurorëve të kapur dhe këta që nga fillimi kanë dëshmuar që nuk janë të interesuar të zbardhin të vërtetën mbi vdekjen e dhunshme të Astritit”, ka thënë ajo./gazetametro.net
Lexoni të plotë publikimin e Haxhiut:
Kryeprokurori Sylë Hoxha paska thënë se nuk do ta marrë parasysh, raportin e ekspertëve të pavarur për vdekjen e dhunshme të Astritit në qendrën e paraburgimit në Prizren!
Një prokuror që ka kredibilitet moral e profesional, nuk do të thoshte diqka të tillë, përkundrazi, do të analizonte secilën fjalë të atij raporti.
Për fatin tonë të keq, Sylë Hoxha dhe Metush Birraj, janë soji i prokurorëve të kapur dhe këta që nga fillimi kanë dëshmuar që nuk janë të interesuar të zbardhin të vërtetën mbi vdekjen e dhunshme të Astritit. Këta kanë dëshmuar në vazhdimësi se janë vegël e këtij regjimi dhe janë përpjekur në kontaminimin e provave.
Le ta dijnë Sylë Hoxha dhe gjithë të tjerët që janë të përfshirë në tendencën për heshtjen dhe fshehjen e vdekjes së dhunshme të Astritit, se e vërteta mbi vdekjen, do të kuptohet dhe gjithë këta do të marrin përgjegjësinë për këtë krim të dytë!