Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pasi u arrit mbrëmë në Ohër pajtimi për aneksin e implementimit të propozimit europian mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ta mos miratojnë këtë marrëveshje.
Sipas saj, ligjvënësit kosovarë nuk duhet të lejojnë kapitullimin e Kosovës përballë Serbisë.
”Kosova e fitoi luftën ndaj serbisë, Kryeministri Kurti e dështoi Kosovën në tavolinë historikisht dhe strategjikisht. Pranoi marrëveshjen pa njohje me Serbinë, me asociacion dhe autonomi për pakicën serbe. Kuvendi i Kosovës dhe deputetët duhet ta bëjnë korigjimin e këtij dështimi historik suke mos miratuar këtë marrëveshje; të mos lejojnë këtë kapitullimin e Kosovës përballë Serbisë, por ta jetësojnë kaputullimin e Serbisë në Kumanovë në 1999, të cilën e arritëm me luftën, gjakun dhe diplomacinë e mençur të shqiptarëve,” ka shkruar ajo.
Mbrëmë përmes portalit EEAS, Bashkimi Europian publikoi Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes për Normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Pika më e nxehtë e ujdisë ajo që i përket nenit 7, njëherazi është pika më kontroverse për vet kryeministrin Albin Kurti, ajo e vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
Aty obligohet direkt Kosova që të fillojë procedurat për themelimin e kësaj niveli të vet-menaxhimit siç quhet ‘menjëherë’ siç tha Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell. /gazetametro.net