Përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të “INTERPOL”-it, Jurgen Stock, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është drejtuar me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, duke i kërkuar rishqyrtimin dhe rivlerësimin e urdhrit të arrestit ndërkombëtar për liderin e AAK-së, Ramuish Haradinaj.
Sipas Tahirit, zbatimi i këtij urdhërarresti cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si dhe të drejtat e njeriut, pasi Haradinaj është gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë.
Ministri nënvizon se Urdhër Arresti ka gjithashtu probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre.
“Në këtë Urdhër Arrest, z. Ramush Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit te Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006; më lejoni gjithashtu t’Ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër Arrestit ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet sllovene bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm; është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër Arresti ndërkombëtar plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin,” shkruan Tahiri./gazetametro.net