Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për ta kthyer në pikën zero çështjen e kontratës së kontestuar të NPB-së, përcjell Gazeta Metro.
Tahiri vendimin e Supremes e pa si një goditje të fuqishme ndaj përpjekjeve të grupeve dhe bizneseve kriminale që kishin për synim të zhvatnin e të vidhnin paranë e taksapaguesve të Prishtinës.
“Përpjekjet e tyre për të bllokuar Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) dhe për të lënë punëtorët pa paga dështuan turpshëm. Prishtina dhe pasuria e saj publike nuk janë plaçkë e bizneseve të korruptuara që kërkojnë të pasurohen në mënyrë të jashtëligjshme mbi shpinën e qytetarëve”, ka shkruar ai.
Tutje, Tahiri ka vlerësuar se drejtësia është vënë në vend, ndërsa, sipas tij, ata që tentuan grabitjen e parasë publike morën përgjigjen e merituar.
Gjykata Supreme të premten mori vendim për ta kthyer në pikën zero çështjen e kontratës së kontestuar të NPB-së./gazetametro.net