Loading…

Tahiri për ‘Open Balkan’: Kur s’është Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë

  • 09/11/2021 | 14:35

Tahiri për ‘Open Balkan’: Kur s’është Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, në “Report Tv” foli mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe nismën “Open Balkan”.


Tahiri tha se pa stabilitet politik dhe të sigurisë nuk mund të ketë një zhvillim ekonomik ose tregtar në Ballkan, ndërsa shtoi se situata kërkon angazhimin e SHBA-së dhe të BE-së.

Sipas saj, kështu parandalohen zhvillimet e këqija.

Për “Ballkanin e Hapur” ajo tha se është një nismë për të mbuluar veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa theksoi se Serbia nuk ka ndryshim nga ajo e Millosheviqit.

Ajo foli edhe për takimin që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati në Beograd me Vuçiqin në kuadër të nismës “Open Balkan”, ndërsa i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare që të mos marrë pjesë në aktivitete ku nuk është i gjithë Ballkani.

Kujtojmë se Kosova refuzon pjesëmarrjen në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Tahiri tha se Rama nuk do të duhej të merrte pjesë në takime rajonale ku nuk merr pjesë Kosova, e aq më pak aty ku merr pjesë Serbia.

“Rama të ndalë pjesëmarrjen në gjithë aktivitetet ku nuk është i gjithë Ballkani, kur s’është Kosova, çfarë do Shqipëria me Serbinë”, tha Edita Tahiri.

Më tej, Tahiri tha se Shqipërinë nuk e lidh asgjë me Serbinë që të takohen, pasi nuk kufizohen nga njëra-tjetra, e mbi të gjitha, sipas Tahirit, Shqipëria s’ka qenë në luftë me Serbinë.

“Shqipëria me Serbinë s’ka qenë në luftë. Shqipëria nuk kufizohet me Serbinë. Gjërat janë të qarta”, tha Tahiri.

Sa u përket raporteve Kosovë – Serbi, Tahiri tha se duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve, ndërsa përmendi disa prej çështjeve të pazgjidhura mes vendeve.

“Duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve, ndërsa siç është Asociacioni, kthimi i dokumenteve kadastralë, mosndërtimi i disa objekteve në pika kufitare nga Serbia, mosnjohja e diplomave dhe të tjera, duhet gjetur gjuha e përbashkët”, tha Tahiri për “Report Tv”.

Tahiri nuk ka la pa përmendur edhe veprimet e Vuçiqit, teksa tha se Serbia e sotme nuk ka dallim nga Serbia e Millosheviqit.

Ish-kryenegociatorja theksoi se Serbia po destabilizon rajonin dhe se në bashkëpunim me Rusinë është në prag të ndarjes së Bosnjës.

“Kështu vjen projekti i ‘Serbisë së Madhe’, që duket se Vuçiqi e ka amanet nga Millosheviqi”, u shpreh Edita Tahiri.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë