Emisari special i Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se kërkesa për vendimin e çështjes së riregjistrimit të targave RKS është folur në takim me Kurtin, mirëpo Lajcak tha se i takon kryeministrit që të marr vendim, shkruan Gazet aMetro.
Bashkimi Europian ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shtyjë vendimin për çështjen e riregjistrimit të targave në RKS. Kjo kërkesë ishte e njëjtë me atë që i bëri edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.
Kjo kërkesë ishte edhe temë takimi e kryeministrit Kurti dhe emisarit special të BE-së, Miroslav Lajcak, i cili sot ishte mysafir në zyrën e Kurtit, për të dytën herë këtë javë.
Lajcak u pyet nëse Kurti ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje, por ai s’dha detaje, përveçse e konfirmoi se folën për të.
“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë”, tha shkurt Lajcak në përgjigje.
Emisari Lajcak ka deklaruar se BE’ja ka synim që të shmangen çdo lloj tensioni.
Për draftet që po qarkullojnë në media për Asociacionin, ai ka thënë se s’ka qenë i njoftuar më herët për to. Ka shtuar se drafti s’është kërkuar nga BE-ja dhe se Bashkimi Evropian e sheh vetëm si “një nga shumë letrat që prodhohen”. “Është diçka krejt e ndarë nga procesi ynë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Lajcak për vizitë ishte edhe javën e kaluar në Prishtinë dhe tani presioni e vizitat ndërkombëtare janë shtuar në drejtim të Qeverisë Kurti. /gazetametro.net