Loading…
Tani duhet të paguani më shtrenjtë: Rriten për 30 për qind sigurimet e veturave
  • 02/08/2019 | 16:11

Tani duhet të paguani më shtrenjtë: Rriten për 30 për qind sigurimet e veturave

Banka Qendrore e Kosovës dhe kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë tashmë hapa konkret për t’i rritu çmimet e sigurimeve të veturave, transmeton Gazeta Metro.


Të gjitha dëmet e mbetura nga kompania e falimentuar “Insig”, do t’i paguajnë qytetarët e Kosovës përmes rritjes së çmimit të sigurimit të automjeteve. Kjo është njëra nga pikat përmes të cilës kompanitë e sigurimeve po e arsyetojnë rritjen e çmimit prej 30 për qind të sigurimit të automjeteve, bazuar në disa dokumente të siguruara nga Buletini Ekonomik.

Plani njëfaqësh i cili argumenton se duhet të ketë rritje të çmimeve po bëhet në koordinim me Bankën Qëndrore të Kosovës.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, tashmë është caktuar edhe personi që do ta argumentojë para Bankës Qendrore të Kosovës, se pse rritja e çmimit të  sigurimit të automjeteve është e nevojshme.

Bëhet fjalë për Shefik Gërbovcin, emri i të cilit figuron si “aktuar i certifikuar nga BQK”.

Në vendimin për emërim të Gërbovcit përmenden në detaje detyrat e tij karshi situatës se re të krijuar në tregun e sigurimeve, përfshirë këtu edhe kompaninë e falimentuar “Insig”.

Gërbovci është aktuar i certifikuar dhe është angazhuar për kryerjen e vlerësimeve aktuariale për llogaritjet e ndryshimit të primit të sigurimit për produktin e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia – TPL.

Si arsye për rritjen e çmimeve në treg, në dokumentacionin e siguruar përmendet kompania e falimentuar “Insig”.

Buletini Ekonomik ka pritur disa ditë Bankën Qendrore të Kosovës, për ta sqaruar këtë  plan, por zyrtarë të saj nuk kanë qenë të gatshëm të flasin.

Ndryshe, kompanitë e sigurimeve kanë ndërmarrë iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, në emër të detyrimeve financiare që u janë shtuar si pasojë e bankrotimit të kompanisë “Insig”.

Mbështetur në Ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia, secili sigurues ka të drejtë të paraqesë kërkesë për aprovim ose ndryshim të tarifave të sigurimit TPL, për të cilat çdo përllogaritje e tyre duhet të jetë në harmoni të plotë me rregullat e përcaktuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Këto rregulla përfshijnë përcaktimin e strukturës së primit, shumën minimale apo maksimale apo kufi tjetër brenda të cilit primi duhet të jetë, si dhe bazën teknike e cila duhet të përdoret nga siguruesit me rastin e llogaritjes së primit të sigurimit.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë