Kuvendi i Kosovës të enjten do të debatojë për formimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FAK).
Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, në një konferencë për media, pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raporton gazetametro.net.
Beqiri ka thënë se ky debat mbahet pas një kërkese të një grupi të deputetëve.
Ai duke folur për këtë temë, ka thënë se nuk ka asnjë deputet të shumicës që është kundër formimit të Ushtrisë, por dihet se cilat janë pengesat, dhe me ndihmën e kujt do të mund të bëhet Ushtria e Kosovës.
“Në kërkesën e një grupi të deputetëve është edhe një debat parlamentar që ka të bëjë me forcat e armatosura të Kosovës. Nuk gjen deputet të shumicës që nuk ka dëshirë që FSK të kthehet në ushtri. Këtu nuk duhet garë por mundësia se si duhet të bëhet ushtria”.
“Ju e dini që e kemi pengesën e komunitetit serb. Ne e kemi të qartë se pa ndihmën e NATO’s dhe SHBA’së, nuk kemi mudnësi të bjëmë një ushtri cfarë ne dëshirojmë. E kemi përkrahejn e tyre në këtë drejtim. Ne do të dëshironim të mos ishte ajo pengesa e dy të tretave për formimin e ushtrisë. Megjithatë kjo nuk mund të bëhet pa konsultime paraprake me miqtë tanë”, ka thënë Beqiri. /gazetametro.net