130 familje veç se janë larguar dhunshëm, por me vendim të Ndërmarrjes Publike Banesore nga banesat në të cilat ishin të vendosur që nga paslufta, në lagjen “Dardania” gjatë muajit shtator. të tjerët do të dëbohen nga pranvera e ardhshme.
Por, pastaj me urdhër të gjykatës ishin larguar gjashtë familje nga banesat për të cilat Ndërmarrja Banesore pretendonte se janë pronë e saj.
Ndërmarrja Publike Banesore pati kërkuar lirimin e këtyre banesave, të cilat synon t’i nxjerrë në treg, ndërsa banorët kanë kërkuar që të bëjnë marrëveshje për blerjen e këtyre banesave.
Banesat kanë qenë të papërfunduara në kohën që banorët janë vendosur në to, kështu që ata kanë bërë edhe investime për t’i bëtë ato të banueshme. Për këtë arsye, banorët kërkojnë që t’u jipet përparësi me rastin e shitjes së banesave dhe t’i llogariten invetimet që i kanë bërë.
Largimi i qytetarëve ishte bërë nga Policia e Kosovës e shumë nga ta kishin kundërshtuar largimin në forma të ndryshme, madje edhe me forca fizike. Kundërshtimi i familjarëve të shumtë ishte bërë edhe në shtëpinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.
Ndërsa tash e disa muaj nuk dihet asgjë në lidhje me vendodhjen e gjithë këtyre familjeve që u larguan nga këto ndërtesa.
Në një prononcim për Indeksonline nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Ndërmarrjeve Publike Banesore është bërë e ditur se ka ende familje që banojnë në lagjen Dardania saktësisht në objektin SU-9/4, zhvendosja e të cilëve është shtyer për stinën e pranverës për shkak të kohës së ftohtë.
Po ashtu sipas këtyre të fundit nuk është përgjegjësi e tyre strehimi i gjithë familjarëve të larguar gjatë muajit shtator.
“Nuk është përgjegjësi e Ndërmarrjes Publike Banesore strehimi i banorëve që janë larguar nga ky objekt. Këto familje kanë marrë dhjetëra paralajmërime me shkrim për lirim të banesave që nga fillimi i procedurës gjyqësore për lirimin e tyre në vitin 2005. Pra ata kanë qenë të njoftuar më kohë për largimin e tyre dhe masa për gjetjen e një strehe ju takon vetëm atyre”, është thënë nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun.
Gjithashtu nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun është bërë e ditur se banorët e larguar duhet të kujdesen vetë për strehimin.
“Për një gjë të tillë banorët duhet të kujdesën vetë. Komuna e Prishtinës ka hapur një konkurs për banesa sociale dhe kështu të gjitha rasteve sociale mund të lajmërohen në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës”, është theksuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun.
Mirëpo, duhet përkujtuar që largimi i këtyre familjarëve ishte bërë pas paralajmërimeve të shumta me shkrim që iu ishte bërë shumë kohë më parë./gazetametro.net