Loading…

Të gjithë po frikësohemi për shëndetin tonë, vetëm Albin Kurti për postin e Kryeministrit

  • Nga

  • PARIM OLLURI

  • 24/03/2020 | 13:16

Të gjithë po frikësohemi për shëndetin tonë, vetëm Albin Kurti për postin e Kryeministrit

Faktet tregojnë që Kosova është vendi me kryeministrin më të papjekur në kohën e pandemisë globale. Kjo rritë rrezikun për të dalë humbës përballë Koronavirusit. Në këto momente, unë kam dëshirë që të jetë e saktë besëtytnia që njeriu bëhet më i pjekur pas çdo ditëlindje të tij. Albin Kurti sot mbushë 45 vjet.


Shkruan: Parim Olluri

Kam bindjen që kryeministri ynë, Albin Kurti, ka mungesë të informatave të detajuara për Koronavirusin.

“Rri pastër, laj duart, rri n’shpi”, përjashto këto më bazikët, të cilat i mëson nga ministri Arben Vitia, disa minuta para konferencës për shtyp.

Ai nuk ka pasur kohë të informohet shumë për pandeminë. Prej ditës së parë kur “Apokalipsi”, përfshiu Kosovën, Kurti ka qenë i zënë duke marrë me politikë, jo me shëndetësi.

Në ditët më kritike kur popullatës i duhet një kryeministër që kujdeset për ta, Kurti e ka bërë të kundërtën, është kujdesur për postin e tij.

Ka provokuar krizë politike. Ka shkarkuar një prej njerëzve më të fuqishëm të LDK-së, Agim Veliun, duke qenë i vetëdijshëm se do të iniciohej një mocion për shkarkimin e tij.

Ai ishte i vetëdijshëm se ky veprim i tij do të provokonte krizë për shkak se kishte poshtëruar

LDK-në, parterin e tij të koalicionit. Në shumë raste.

Poshtërimi më i madh ishte bërë kur kishte dalë në një konferencë për media dhe kishte “vendosur” që të taksa të hiqej pjesërisht. Të gjithë mendonim që ishte vendim i përbashkët i gjithë Qeverisë. Por, për këtë nuk e kishte pyetur fare LDK-në.

Më me respekt ishte trajtuar AKR-ja e Behgjet Pacollit me dy-tre përqind të votave nga partneret e saj të koalicionit, se sa LDK-ja që ka gati të njëjtën fuqi votash me partinë e Albin Kurtit.

E ofenduar nga ky poshtërim i tij, LDK-ja u rikthye në gjirin e vjetër. Bëri në prapaskenë aleancë më Hashim Thaçin, njeriun që jo rrallëherë nga kritikët është portretizuar si kryetar në hije i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Paralelisht, Thaçi e LDK-ja përkrahen shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si kundërpërgjigje ndaj poshtërimit të Kurtit. E mbështetën me shpatulla për muri. Nga ajo ditë, Kryeministri po lufton për mbijetesë politike. Nuk po jeton fuqishëm, ashtu siç ka qejf të krekoset publikisht.

Nga ajo ditë kur mori goditjen e madhe, Kurti ka ndezur makinerinë e tij për të ndërmarrë veprime që e ruajnë reputacionin dhe postin e  tij. Ka harruar të ndërmarrë veprime që e ruajnë shëndetin e popullatës, derisa kryetarë komunash dhe drejtorë spitalesh rënkojnë çdo ditë për mungesë maskash e pajisjesh tjera mbrojtëse.

Realisht, Albin Kurti është duke bërë fushatë parazgjedhore në kohë pandemie. Ai po mendon më shumë për zgjedhjet e reja se sa për Koronavirusin.

Derisa tërë qeveritë e botës po punojnë në dy drejtime, shëndetin e popullatës dhe ruajtjen e vendeve të punës pas pandemisë, Qeveria Kurti është mobilizuar për të dhënë përgjigje në këtë pyetje: Çfarë do të bëhet me Albinin, pasi të shpëtojmë gjallë nga Koronavirusi?

Makineria e tij politike e propaganduese ka ekzekutuar deri më tash katër vendime:

Shkarkimin e Agim Veliut e ka bërë për të përfituar edhe një grusht votash, kinse e rrëzuan nga froni për shkak se ishte “Luftues i gjeneratës së vjetër e të korruptuar të LDK-së”.

Ka kufizuar lëvizjen e lirë, pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ai dëshiron që ta mposhtë Hashim Thaçin politikisht edhe në kohë pandemie. Mposhtja e Presidentit i siguron atij mbështetje më të madhe popullore në zgjedhjet e ardhshme.

Këmbëngulë në mos mbajtjen e seancës parlamentare për mocionin kundër tij. Mos mbajtja e saj e bënë Albin Kurtin triumfues mbi LDK-në që bashkëvepron me Hashim Thaçin dhe mbi PAN-in. Edhe një grusht votash i përfiton nga ky triumf, nëse e arrin.

Në vend se t’iu bëjë thirrje për ta ruajtur shëndetin e tyre, Kryeministri ka cytur njerëzit e tij që ta mbrojnë atë me tenxhere e kutllaqa, është i turpshëm mobilizimi i militantëve për t’ia shpëtuar lëkurën dhe për ta fuqizuar liderin e tyre për zgjedhjet e ardhshme.

Militantët e Kurtit duhet të “detyrohen” që të lexojnë më shumë këshilla nga mjekët për t’u mbrojtur nga Koronavirusi, se sa këshilla nga oborrtarët e Kurtit se si shpëtohet lideri në kohë pandemie.

(Autori është analist i njohur politik si dhe drejtor i portalit ‘Insajderi’)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë