Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian do të nisë të hënën diskutimet dy ditore rreth raportit të eurodeputetit Knut Fleckenstein për ecurinë e reformave në Shqipëri në kuadër të kërkesës së autoriteteve shqiptare për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit
Raporti thekson se Shqipëria ka arritur sukses në procesin e integrimit evropian por zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, i reformës elektorale, i ligjit të dekriminalizimit është me rëndësi në forcimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet e tyre publike dhe përfaqësuesit politikë.
Draft raporti vë në dukje rëndësinë e veçantë që kanë si zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare të këtij viti. Parlamenti Evropian këmbëngul sërish për zbatimin e shpejtë të reformës në drejtësi dhe në veçanti të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të vijojë procesi i integrimit.
Në lidhje me zgjedhjet e 18 qershorit Brukseli i bën thirrje komisionit parlamentar të reformës elektorale të mos lejojë përfshirjen e kriminelëve në listat e kandidatëve për deputetë. Eurodeputetët kanë mirëpritur hapat në luftën antikorrupsion dhe në operacionet e reja kundër plantacioneve të drogës.
Më tutje, raporti që do të diskutohet përmban edhe pjesët ku kërkohet që të mbikëqyret financimi i partive politike.