Muaji shkurt 2026 ka sjellë rritje të numrit të qytetarëve dhe turistëve që kanë zgjedhur hotelet në Kosovë për pushim dhe fjetje. Të dhënat tregojnë për një shtim të vizitorëve dhe net-qëndrimeve, duke reflektuar interesim më të madh për qëndrime turistike dhe relaks në vend, shkruan Gazeta Metro.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin më të fundit për statistikat e hotelerisë për muajin shkurt 2026, i cili nxjerr në pah një rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve dhe net-qëndrimeve në vend.
Të dhënat tregojnë se sektori i turizmit po vazhdon të shënojë zhvillim, duke reflektuar një interesim në rritje si nga vizitorët vendorë, ashtu edhe nga ata të huaj.
Sipas ASK-së, gjatë muajit shkurt të këtij viti në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 56,644 vizitorë.
Nga ky numër, 24,416 janë vizitorë vendorë, ndërsa 32,228 janë vizitorë të huaj. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 51,795 vizitorë, këtë vit evidentohet një rritje prej 9.4 për qind, çka tregon për një trend pozitiv në industrinë e hotelerisë.
Përveç rritjes së numrit të vizitorëve, edhe net-qëndrimet kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Në total, gjatë shkurtit 2026 janë regjistruar 112,367 net-qëndrime. Prej tyre, 60,513 apo 53.8 për qind janë realizuar nga vizitorët e huaj, ndërsa 51,854 apo 46.1 për qind nga vizitorët vendorë. Këto shifra tregojnë jo vetëm rritje të numrit të turistëve, por edhe një tendencë që ata të qëndrojnë më gjatë në Kosovë.
Sa i përket vizitorëve të huaj, rritja është edhe më e theksuar. Krahasuar me shkurtin e vitit 2025, numri i tyre është rritur për 16.1 për qind. Në total, 32,228 turistë të huaj kanë vizituar vendin gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Shqipëria, Gjermania, Turqia dhe Zvicra, duke reflektuar lidhjet rajonale, diasporën, por edhe interesimin në rritje të turistëve evropianë për Kosovën si destinacion.
Kjo rritje e vazhdueshme në sektorin e hotelerisë dhe turizmit shihet si një sinjal pozitiv për ekonominë e vendit.
Shtimi i numrit të vizitorëve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e të hyrave për bizneset hoteliere, gastronominë dhe sektorët e tjerë shërbyes, duke krijuar gjithashtu mundësi të reja për punësim.
Në përgjithësi, të dhënat e ASK-së konfirmojnë se turizmi në Kosovë po hyn në një fazë zhvillimi më të qëndrueshëm, me potencial për rritje të mëtejshme./gazetametro.net
