Klubi i Trepçës’89 përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë Draft Statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), transmeton Gazeta Metro.
Skuadra nga Mitrovica ka thënë se ky proces ka shkelje serioze të procedurave Statutare dhe ligjore të cilat janë evidentuar nga juristët e tyre.
Ata i kanë bërë thirrje delegatëve që të jenë të vetëdijshëm se çka do të votojnë të premten në Kuvendin e jashtëzakonshëm të thirrur nga FFK.
”Klubi jonë KF Trepça’89 me kujdes të veçantë ka analizuar Draft Statutin e FFK-së i cili pritet të jetë në rend dite në kuvendin e jashtëzakonshëm të datës 27.01.2023.”
”Duam që përmes kësaj komunikate të njoftojmë gjithë komunitetin futbolldashës se ky proces ka shkelje serioze të procedurave Statutare dhe ligjore të cila janë evidentuar nga juristët e klubit tonë andaj ju ftojmë që të jeni të vetëdijshëm se çka do të votoni,” thuhet në njoftim.
Përveç Trepçës’89 mbrëmë edhe dy klube të tjera kosovare, Drita dhe Gjakova kanë njoftuar se janë kundër këtij Draft Statuti që më së shumti i shkon përshtati presidentit të FFK’së, Agim Ademi dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.
Ndërkaq, Gazeta Metro sipas burimeve të saj ka mësuar se as klubi i Prishtinës nuk do ta përkrahë këtë Draft Statut ‘skandaloz’.
Burimet thanë që ”sot gjatë ditës pritet të dalim me një komunikatë zyrtare, mirëpo përgjigja është jo, nuk do ta votojmë”. /gazetametro.net