Loading…
Të jesh një aktor në Kosovë: 99 ditë pa rrogë
  • 08/04/2019 | 16:07

Të jesh një aktor në Kosovë: 99 ditë pa rrogë

Tashmë tre muaj aktorët e ansamblit të teatrit të qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” nuk kanë marrë paga, transmeton Gazeta Metro.


Siç njofton aktori i këtij teatri, Xhevdet Doda, këtë të hënë, më 8 prill, janë rrumbullakuar plot 99 ditë qëkur këta artistë morën rrogën e fundit.

Artistët e këtij qyteti kanë zgjedhur që pakënaqësitë e tyre në këtë drejtim t’i shprehin nëpërmes rrjeteve sociale e nuk përjashtojnë mundësinë që në të ardhmen e afërt të organizojnë edhe ndonjë protestë.

Ehat Oreshka, drejtor për Kulturë në Komunën e Prizrenit, ka refuzuar të komentojë zhvillimet e fundit në Teatrin e Qytetit të Prizrenit me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit.

“Për momentin jam në Tiranë, ndoshta për këtë çështje mund të flasim nesër”, ka thënë Oreshka për “Zërin”.

Të heshtë ka zgjedhur edhe drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu” Fetah Paçarizi, i cili i tha gazetës “Zëri” se është i zënë me disa probleme shëndetësore e familjare. Në anën tjetër i pamundur ka qenë kontakti më të parin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Për gjendjen e Teatrit të Qytetit të Prizrenit, por edhe të teatrove në Kosovë në përgjithësi ka reaguar Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës (ATQK). “Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë të teatrove të qyteteve dhe neglizhencën e institucioneve relevante për zgjidhjen e këtij problemi, pas kërkesave të shumta nga komuniteti artistik dhe punëtorëve të teatrove, reagimeve të tyre për mospagesën e rrogave dhe borxheve të grumbulluara, dolëm me këtë deklaratë, ku kërkojmë nga institucionet relevante që sa më shpejt të jetë e mundur ta rregullojnë statusin juridik e financiar të këtyre teatrove. Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës (ATQK) po e përcjell rregullisht gjendjen e teatrove të qyteteve dhe konstaton se problemet e teatrove kanë mbetur të njëjta, për të mos thënë se janë vështirësuar edhe më shumë”, thuhet në reagimin e tyre.

ATQK-ja ka iniciuar ndryshimin e Ligjit aktual për Teatrot, sepse sipas tyre ky ligj nuk është aspak i favorshëm për funksionalizimin e teatrove të qyteteve dhe përkitazi me këtë gjendje Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Koncept-Dokumentin për Teatrot, dokument ky që ia hapi rrugën plotësim-ndryshimit të Ligjit për Teatrot, ligj ky që do ta bëjë rregullimin juridik dhe financiar të teatrove të qyteteve. “Duke e pasur parasysh që ndryshimet ligjore marrin kohë deri në miratimin e tyre dhe duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të teatrove, ne si ATQK kemi kërkuar nga komunat tona përkatëse të bëjnë kërkesë në Komisionin e Grandeve në Ministrinë e Financave që të planifikohet dhe të ndahet buxheti për futjen në kontrata të rregullta të aktorëve të trupave rezidente dhe punëtorëve tjerë të teatrove, si dhe të ndahet buxheti për prodhimin e shfaqjeve, gjë që nuk ndalohet as nga ligji aktual, një bazë ligjore kjo që ne e konsiderojmë se duhet të vendoset në mënyrë urgjente, prandaj u bëjmë thirrje institucioneve relevante që në mënyrë urgjente ta mundësojnë krijimin e kësaj baze ligjore”, thonë nga Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës. Sipas ATQK-së, në të kundërtën teatrot e qyteteve rrezikohen të mbyllen, përkatësisht të mos mundë t’i realizojnë aktivitetet e tyre, gjë që rrjedhimisht do të sjellë veprime radikale nga komuniteti i artistëve të Teatrit.

Rikujtojmë së Teatri i Prizrenit, njëri nga më të vjetërit në Kosovë, mori emrin e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiut, në qershor të vitit 2017. Kuvendi i Komunës së Prizrenit pati votuar unanimisht që Teatri Profesionist i Qytetit të Prizrenit të marrë emrin e aktorit prizrenas me famë botërore./gazetametro.net

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë