Loading…

Të lexosh Aleksandrin!

  • Nga

  • ADELINA MARKU

  • 23/10/2019 | 13:09

Të lexosh Aleksandrin!

Ajo çka nevojitet nga ne sot është krijimi i estetikës e standardit të rafinuar për veten, jo për Europën, por për veten – që madje Europa të vetëbindet për lashtësinë tonë dhe civilizimin që si prurje shtesë ia kemi falë po asaj. Aleksandri pastaj, nuk do bënte asnjë tweet shtesë, sepse do kishte paqe estete mes nesh!


Shkruan: Adelina Marku

Sa e vështirë është të hysh në kokën e njerëzve që krijojnë opinion dhe të kuptosh se cila është prapavija e deklaratave që japin. Në fakt nuk mund të luash Frojdin apo, ose të bësh rolin e një neurolinguisti sidomos, sepse kjo do ishte një përpjekje shumë hazarde! Por një gjë e di, se deklarata e Aleksandër Sorrosit mbi albanofobinë e Europës më krijoi një gjendje ambiguine saças. Përse? E para , më shqetësoi energjia potenciale e atyre pak rreshtave të tweet-it të Aleksandrit , ku thotë: “Poshtë sipërfaqes, gjallon një paragjykim dhe intolerancë ( bigotry) ndaj shqiptarëve etnikë në Europën Perëndimore, që nuk mund të mos shihet si faktor në refuzimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Këshill. Evropa duhet të ballafaqohet me albanofobinë e vet!”. E shqetësuar dola të jem nga kjo “nxitje” mondane – do e kisha cilësuar me vijë të tillë deklaratën e Aleksandër Sorrosit, sepse ky është i biri i Sorrosit bilioner dhe nuk është një i rastësishëm për Europën dhe për botën, si rrjedhojë , deklarata është bukur e qëllimshme . Pra them : bukur e qëllimshme! Këto “tweet nxitjet” të shkallmojnë edhe trurin , sepse të duhet të dekodosh të gjitha efektet e mundshme të atyre pak fjalëve të renditura aty! “Tweet politika” sot, është si ato femrat perla të bukura dhe ato meshkujt perlësisht të ndërtuar me muskuj e që e jotja është të zbulosh nëse në atë perlësi nga jashtë, paska ose jo ndonjë BRUM nga brenda! Pra, dua të them se duhesh të shtrosh një platformë agnostike nga një minimalizëm të ekonomizuar fjalish të një “tweet”-i të vetëm ! Wow, një “mission imposible ” ky. Shqetësimi i dytë ka të bëjë me faktin që lidhet me ne shqiptarët kudoqofshim, sidomos kur ky përllogaritet nga niveli dhe mënyra e përfaqsimit tonë politik e diplomatik qoftë në vendin tim , qoftë në Shqipëri,qoftë në Kosovë , qoftë në Malin e Zi, e gjetiu ku i takojmë këtij identiteti kulturor! Pra, ne nxisim – sipas Aleksandrit, frikë, paragjykime tek Evropa Perëndimore, ose, Evropa vetënxit e vetëtajon frikën dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve – sipas Aleksandrit poashtu! E sheh mik o mikeshë , këtu qëndron mjeshtria: çka deshi të thotë autori me këtë deklaratë? Kujt ia “fug rabecin”ky? – themi ne nga Dibra. A po bën brokerizëm për dikë? A mos ndoshta edhe në vendin tim ne shqiptarët ishim pengesë që Maqedonia e Veriut të mos fitojë datë për negociata me BE ? Wow, një “tweet” bilioneri o njeri , mijëra lexime e dilema! Atë çka e dij është si vijon: Aleksandër Sorrosi është djalë bilioner me vetëbesim të justifikuar e prandaj të pakontestueshëm qoft’ edhe në rezonim politik!

Por ky në këtë lexim duhet të jetë edhe pragmatik, si i jati ! Ai e mbaron tweet me këtë fjali: ” Europa duhet të ballafaqohet me albanofobinë e vet!”. Me gjasë , Europa vetprodhon albanofobi ndërsa ne shqiptarët ose nuk e kemi kuptuar cilësisht këtë vetprodhim stigmatizues ndaj nesh, (sepse o jemi torollakë politikë dhe na mjafton vetëglorifikimi dhe shpesh veprojmë përmes modelit -“si lopa baglën”), ose sepse nuk prodhojmë politikë të mençur si dhe përfaqësim e diskurs diplomatik të denjë! Njëra apo tjetra të jetë, nuk flet për mirë!

Përtej kësaj, Aleksandër Sorrosin pa gjene le mos vrapojmë t’a ndjejmë si albanofilin e madh sepse fliska kaq hapur për albanofobinë e Evropës perëndimore, sepse kjo logjikë është anakronike e e primitivit politik! Ai po përcjell një mesazh të guximshëm e të fuqishëm politik para gjithë Europës e europjanëve dhe nuk ka fare rrëndësi nëse na pëlqen ose jo mesazhi, ose nëse na do apo s’na do Aleksandri. Ai pohon hapur se Evropa ka paragjykime ndaj shqiptarëve ! Puna e dilema ime tani është si vijon : a të bëjmë vetëmohuesin e të shohim se përse nxisim albanofobi tek tjetri/a, apo të bëjmë aprovuesin e të hidhërohemi edhe më shumë me Evropën?

Aleksandrin nuk e njoh ende, por kam njohuri të mira për Fondacionin Sorros padyshim – si shumica nga ne këtyre anëve, për shkak të spikamës filantropike të kësaj organizate në regjionin ku jetojmë ! E dyta, nuk jam filo-konspirative dhe nuk e kam ndërmend t’i qasem kësaj familjeje të fuqishme përmes këtij këndi të mundimshëm psikologjik! Në anën tjetër, vogëlsia ime ka patur rastin edhe të drekojë me të jatin e Aleksandrit , me George Sorrosin , kur ky ishte në një vizitë zyrtare këtyre anëve viteve 99 – 2000 në mos u gabofsha , viteve të gjëmimit vazhdues – po e cilësoj kësisoj këtë periudhë politike. E kam të shkruar edhe njëherë në një nga kolumnet e mia dhe më ndjeni që po e përsëris, pra , në atë tavolinë , ishte Z. George Sorros , ishte Z. Arbën Xhaferi , ishte Z. Vladimir Milçin si dhe voglësia ime . Biles, për më shumë , meqë për herë të parë në jetën time qesh e ulur në një tavolinë me një bilioner s’kam si e shkul nga mendja drithtimën përbrenda vetes , ankth ky simpatik i një riosheje që sapo e njihte këtë botë të fuqishme të politikës dhe që më bëri të ndez ( nga emocionet difuye) cigaren mbrapsht ( atëkohë pihej cigarja nëpër restorane!). Hmmm, u qeshëm të gjithë bashkë me këtë gjest timin dhe saças vazhduan temën për të cilën George Sorosi kishte ardhur enkas kësaj ane , pra të realizojë takim me liderët e asaj kohe e për të kuvenduar mbi të drejtën e shqiptarëve ( me trajtesë minoriteti asaj kohe) për shkollimin superior ! Mbaj mend shumë mirë që Zoti Arbën Xhaferi në këtë lëmi qe një si tip Zeusi – ngase e njihte posaçërisht mirë , madje edhe nivelin trivijal që mund t’a shpaloste “tërësia interpretative politike e të drejtave të natyrshme të njeriut për shkollim! “. George Sorrosi, me vëmendje spikamë ndiqte diskursin e Arbnit asaj darke dhe jo vetëm, padyshim! Arbni e njihte shumë mirë ideologjinë e së majtës politike, për më shumë sqima intelektuale e tij zgjonte kërshëri të posaçme tek ndërkombetarët ! Zeusi përbrenda tij, i “miklonte” ata mjeshtërisht! Ishte kjo një tavolinë intelektualisht mondane të nderuar miq/mikesha dhe s’ka si mos përfundonte epilogu me një mbështeje të fuqishme nga ana e Z. Geroge Sorros për Universitetin e Evropës Juglindore që ishte në nivel esencie të strukturimit të vet! Ky universitet u fol asaj nate aty ku prezentë ishin personalitetet në fjalë dhe Fondacioni Sorros kishte një kryefjalë të posaçme në themelimin e mbështetjen e mëtejshme . Një darkë madje e nivelit estetik politik! Prandaj, me Besë të dy palët!

Sot, tek i biri vazhdon punën e të jatit , lihet të kuptohet se ky po mbindërton shtëpinë në një kontekst të ri politik e shoqëror në nivelin global. E shoh, e veneroj si vazhdimësi konstruktive punën e djalit! Në kuptimin tim , Aleksandër Sorrosi sot e tani din qartësisht mirë të vlerësojë detyrat e vështira që i ka para vetes Bashkimi Evropjan . Një nga detyrat e vështira të BE-së gjithashtu është që t’ua ruajë popujve autoktonë europianë hapësirat e tyre jetike dhe identitetet kulturore duke mos penguar në të njëjtën kohë mobilitetin shoqëror të njerëzve në shoqërinë moderne ( Urs Altermatt: “Etnonacionalizmi në Europë”, v 2002) . Se a është Europa ajo që sigmatizon e stereotipizon shqiptarët, Aleksandri na e ka bërë shumë të qartë dhe le t’a marim si diskurs të qenë paj edhe për një moment. Përse? Sepse , unë do zgjidhja të jem vetëmohuese para se të jem kritikuese e shpejtë e Europës egocentrike por edhe burimisht etnonacionaliste apo, dhe të gjykoj si vijon . Shqiptarët ( po i përmend shqiptarët sepse deklarata e Sorrosit ka të bëjë me ne ) kanë një sasi vreri brenda vetes që është akumuluar në forma të ndryshme , në periudha të ndryshme historike e të transformimeve të mëdha gjeopolitike ( ku Europa ka qenw kryefjalë fati me dritë os me terr popujve të Ballkanit shpeshherë) dhe nëse ky sistem i ri , demokracia pra , ofron mundësinë e katarzës – kjo do të thotë se ofron mundësinë e zbrazjes së vrerit gjithashtu! Ky, vreri, është pak a shumë ajo tajitja që të bën shpesh edhe të marrë ( të krijon marrëzira politike) para mundësive që të jep demokracia prandaj tek ne , tek shqiptarët kudoqofshim ,gjatë kohë kemi vuajtur liritë politike të fituara me vonesë prandaj “edhe estetika pa një liri politike , pa një liri të brendshme nuk mund të zhvillohet ” ( citat Arbën Xhaferi ). E prandaj, duke qenë edhe mëtej vetëmohuese, gjykoj se do të jetojmë më mirë me Evropën dhe ajo me ne nëse ndaj njëri -tjetrit dhe ndaj ideve tregojmë sinqeritet maksimal për shkak të vuajtjeve, (vet)thikave pas shpine njashtu) që kemi patur në periudhën e kaluar. Ky, sinqeriteti pra, nuk zëvendësohet me asnjë demagogji , sepse ajo mund të zgjasë një mandat ose dy, por votuesit e njerëzit kërkojnë vetëm NJË pajtim të përhershëm me Europën. Ajo çka nevojitet nga ne sot është krijimi i estetikës e standardit të rafinuar për veten, jo për Europën, por për veten – që madje Europa të vetëbindet për lashtësinë tonë dhe civilizimin që si prurje shtesë ia kemi falë po asaj. Aleksandri pastaj, nuk do bënte asnjë tweet shtesë, sepse do kishte paqe estete mes nesh!

(Autorja është analiste politike e njohur)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë