Në seancën ku u thirr të raportonte për procesin e dialogut me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati edhe një mesazh ironik në transmetim, por kërcënues në përmbajtje për opozitën në Kuvendin e Kosovës, ai ‘iu lut’ atyre të mos e rrëzonin përsëri, sepse… shkruan Gazeta Metro.
Këtë ‘sepse’, Kurti nuk e sqaroi, por e përfundoi fjalimin e tij me ‘ju faleminderit’. Ai këto fjalë i tha pasi kritikoi opozitën se e kishin rrëzuar qeverinë e tij Kurti 1 me parulla të paqëndrueshme.
“Prandaj e kam veç një lutje në fund, mos më rrëzoni edhe njëherë se mandej…ju faleminderit”, tha kryeministri Kurti, deklaratë kjo të cilës i qeshën ministrat dhe deputetët e VV’së, por që në opinion u pa si një arrogancë e numrave nga kryeministri i Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti ‘ngacmon’ opozitën në këtë mënyrë. Javë më parë, gjatë një seance tjetër ai iu kishte thënë opozitës se nuk po janë të aftë ta kritikojnë dhe ky është problemi më i madh i qeverisë së tij.
Unë këtu shoh një lloj paaftësie për ta bërë kritikën dhe rreziku më i madh i qeverisë sonë është mungesa e kritikës, nuk kemi rrezik tjetër. Kemi problem të madh me ju sepse jeni të paaftë me bo kritikë. Më lejoni ta shprehi ndihmën time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Jam i gatshëm t’u jap ide. Unë nuk bëj ofertë pa kërkesë. Por prandaj unë ofroj bashkëpunimin tim që të kërkoni ide për të ma bërë mua kritikën. Me të vërtetë në muajt edhe vitet në vijim rreziku me i madh i qeverisë sime do të jetë mungesa e kritikës”, iu tha Kurti deputetëve të opozitës.
E analisti dhe profesori Blerim Burjani në një prononcim për Gazeta Metro tha se Kurti para se të ndjehet komod është mirë të jetë efektiv dhe të mos i përsërisë normat e qeverisjeve të kaluara.
Sipas Burjanit, Kurti duhet të jetë i kujdesshëm dhe të bashkëpunojë me opozitën, ndërsa shakatë dhe përqeshjen të mos i përdorë ndaj tyre.
“Po, Vetëvendosje i ka numrat dhe Kurti është kryeministër. Mirë është që të ndjehet komod, por më mirë do të ishte të jetë efektiv dhe të mos i përsërisë normat e qeverisjeve të kaluara, sidomos edhe me nepotizmin dhe punësimin partiak. Kujdesi duhet të jetë më i madh dhe duhet të bashkëpunoj me opozitën në suaza të interesimit që mund të ketë kjo opozitë ndërsa hajgaren dhe përqeshjen duhet ta lejë më një anë.”, tha Burjani për Gazeta Metro.
Më tutje, ai potencoi se rasti i VV’së është një mundësi e mirë për Kosovën që ta testojë demokracinë e saj me një parti me fuqi numrash në Kuvend.
“VV është një test i mirë kësaj here për qytetarët dhe për demokracinë në Kosovë se si mund të sjellet një pari në pushtet me fuqinë e madhe të numrave në Kuvend.”, tha Burjani.
Në fund, Burjani tha se Kurtit i mungojnë figurat kredibile dhe se i mungon bashkëpunimi me botën akademike, opozitën dhe Organizatat e ndryshme jo-qeveritare në Kosovë.
“Kurti duhet të hapet më shumë me bashkëpunim me botën akademike që i mungon për së tepërmi dhe nuk ka figura kredibile afër dhe pse jo të bashkëpunojë edhe me partitë opozitare dhe OJQ të shumta në Kosovë.”, tha Burjani.
Kryeministri Kurti të martën do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi. /gazetametro.net