Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’ Connell kanë lansuar projektin mbështetës të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa ka thënë se kjo çështje mbetët plagë e rëndë për kosovarët dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të përkrahë plotësisht punën e institucioneve që merren me këtë fushë.
“Unë vetëm dëshiroj të them se çështja e personave të pagjetur mbetet plagë e rëndë e kosovarëve, e shtetit të Kosovës, jo vetëm e familjeve të tyre dhe jo vetëm e komisioneve dhe njerëzve të cilët punojnë drejtpërdrejt me këto çështje. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të përkrah plotësisht punën e institucioneve që merren me këtë fushë dhe do të mundohet maksimalisht që t’i merr parasysh të gjitha kërkesa, tha kryeministri Mustafa.
Ndërsa, Ambasadori Ruairi O’Connell ka thënë se duhet që të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të këtyre personave.
“Kam frikë se procesi i gjetjes së personave të zhdukur ka stagnuar. Më shumë mund të bëhet nga të gjithë”, ka thënë ambasadori.
Sipas O’Connell, ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për të ardhmen e popujve në Ballkan.
Ndërkaq, zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, shprehu nevojën e angazhimit të përbashkët për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Angazhimi ynë i përbashkët, presioni më i madh i komunitetit ndërkombëtar tek përgjegjësit është i domosdoshëm nëse vërtetë duam që kjo temë të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe sa më parë” ka thënë zëvendësministri Dushi.
Ndërsa, Bajram Qerkini, përfaqësues i shoqatave familjare në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se familjarët janë mirënjohës me punën që po bëhet.
“Dëshiroj që ky projekt të shfrytëzohet ashtu siç mendohet më së miri për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne e kemi një komision dhe një grup dialogues, por edhe kryeministrin i cili di të çojë çdo cent aty ku duhet”, ka thënë Qerkini.