Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mbrëmjen e së hënës në sheshin e Laçit. Mësohet se autori është larguar nga vendngjarja. Ndërsa nuk raportohet për të plagosur. Pritet njoftimi i policisë shqiptare për më shumë detaje rreth ngjarjes.
Konflikti ka ndodhur në afërsi të selisë blu në Laç. Sipas burimeve ka pasur një takim te kandidatëve të primareve të PD-së në selinë blu, ku dhe ka nisur sherri mes tyre.
Autor i të shtënave është Van Rica 53 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga policia, pasi ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së PD-së.
Rica akuzohet për “Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosje” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Policia bën me dije se shpallja në kërkim e Ricës është bërë rreth orës 17:30, pasi Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.
Burime paraprake bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në zyrat e PD –së Kurbin, gjatë një takimi formal për zgjedhjet për kryetar në këtë qytet.
Konflikti fillimisht ka nisur mes nënkryetarit të PD Kastriot Marku dhe një anëtari të kësaj force politike. Anëtari i PD, Van Rica ka shtënë me armë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Konflikti ka nisur në lidhje me mosmarrëveshjet që kandidatët e primarëve kanë pasur me njëri tjetrin.
Për pasojë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e Van Ricës.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën Van Rica tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Kurbin / Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:
Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.
Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.