Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Liritë dhe Njeriut nëpërmjet një reagimi bën ftesë publike që të mos pengohet vazhdimi i hetimeve, që të mos paragjykohet fajësia e askujt pa vendim të një gjykate kompetente dhe të mos kushtëzohet vazhdimi i hetimit, por që kjo të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi.
Në këtë reagim, KMDLNj mbështet çdo kërkesë për superekspertizë, jo pse dyshon në raportin e autopsisë e bërë nga ekspertët e mjekësisë ligjore kosovar në Prishtinë (KMDLNj nuk ka kapacitet profesional për të bërë hetime të tilla mjekoligjore), në prani të ekspertëve mjekoligjorë nga Shqipëria dhe Anglia , Dr. Besim Ymaj dhe Dr. Besim Latifaj siç kanë kërkuar familja Dehari dhe VV sikur edhe avokati të familjes Dehari , z. Tomë Gashi që ka përvojë të gjatë në trajtimin e këtyre rasteve por aty ka qenë edhe Hatixhe Popovci, anëtare e VV – së.
“Pikërisht pse ky raport kontestohet nga familja Dehari dhe VV, KMDLNj përkrah edhe një ekspertizë tjetër, si dhe shterjen e të gjitha mundësive që do të ndihmonin në zbardhjen e rastit dhe heqjen e të gjitha dyshimeve. Sigurisht se pas raporteve nga forenzika dhe hetimeve të tjera do të kemi një situatë më të qartë dhe do të identifikohen më lehtë ata që kanë përgjegjësi për humbjen e jetës të një të paraburgosuri që është dashur të mbrohej nga shteti , për aq kohë sa gjendet në paraburgim”, thuhet në reagimin e KDMLNJ-së.
KMDLNj e sqaron opinionin se për të privuarit nga liria që gjenden në qendrat e paraburgimit apo qendrat korrektuese përgjegjësia mund të adresohet tek Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kurse për të ndaluarit në stacione policore apo qendrat e ndalimit për 48 orë përgjegjësi kanë Policia e Kosovës dhe Ministria për Punë të Brendshme.
KMDLNj kërkon që të merren shumë seriozisht mendimet, vlerësimet dhe raporti i mjekoligjorëve nga Shqipëria dhe Anglia që janë caktuar nga familja Dehari dhe VV sepse ata janë profesionistë në fushën e patologjisë dhe mjekësisë ligjore gjatë vazhdimit të hetimeve për zbardhjen e rastit Dehari sikur që fton ata që nuk janë profesionistë në këtë fushë të përmbahen nga komentet dhe interpretimet që vetëm shkaktojnë huti duke kontribuar në mjegullimin e rastit për të cilin nuk kanë kompetencë profesionale.
KMDLNj vlerëson se Ministria e Drejtësisë sikur edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë qenë transparent në menaxhimin e situatës së krijuar dhe bashkëpunues duke ua ofruar të gjitha mundësitë organizatave monitoruese ta bëjnë hetimin e rastit nga aspekti i të drejtave të njeriut për rastin Dehari.
KMDLNj përkrah dhe inkurajon angazhimin e organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut si Amnesty Inernational, Human Rights Ëatch, FIDH , Federata Ndërkombëtare e Helsinkut si edhe ato vendore që ta japin kontributin e tyre në zbardhjen e rastit nga aspekti i të drejtave të njeriut.
Gjithashtu , KMDLNj kërkon nga Prokuroria, hetuesia, Ministria e Drejtësisë që ekspertët mjekoligjorë , të angazhuar nga familja Dehari dhe VV të kenë qasje në të gjitha të dhënat që do t’u ndihmonin në përpilimin e një raporti profesional e që do të kontribuonte në zbardhjen e rastit.
Çdo përpjekje për pengimin e hetimeve, nga kushdo qoftë tregon se ka interesim të fshihet e vërteta dhe të mbrohen ata që janë përgjegjës për këtë rast tragjik. Vetëm hetimi i papenguar, i pandikuar politikisht, ku të gjithë, pa asnjë përjashtim , nëse ofrojnë fakte do të kontribuojnë në zbardhjen e rastit, arritjen e drejtësisë përmes një procesi hetimor dhe gjyqësor transparentë. Nga përgjegjësia nuk duhet të përjashtohet askush, nëse duam drejtësi.