Loading…

Tërhiquni nga Ukraina: SHBA paralajmëron ‘masa serioze’ ndaj Rusisë përsëri

  • 01/12/2021 | 17:19

Tërhiquni nga Ukraina: SHBA paralajmëron ‘masa serioze’ ndaj Rusisë përsëri

Gjatë qëndrimit në Letoni dhe Suedi për takime me aleatët e NATO’s, Sekretari i Shtetit Amerikan Anthony Blinken paralajmëroi Rusinë se nëse nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën, do të përballet me sanksione serioze nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Gazeta Metro.


Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe NATO’ja paralajmëruan sërish Rusinë për “pasoja serioze” ndaj çdo veprimi përshkallëzimi me Ukrainën.  Nga ana e tij Presidenti Putin propozoi të mërkurën fillimin e diskutimeve për marrëveshje që do të përjashtonin zgjerimin e aleancës drejt lindjes.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga të Letonisë, në një kohë kur janë rritur shqetësimet lidhur me grumbullimin e dhjetra-mijëra trupave dhe forcave të blinduara ruse pranë kufirit me Ukrainën. Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara e kanë parë këtë skenar të Moskës shumë herë më parë, duke përmendur si shembull aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Çdo veprim përshkallëzues nga Rusia do të përbënte një shqetësim të madh për Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe për Letoninë, dhe çdo rigjallërim agresioni do të shkaktonte pasoja të rënda”, tha ai.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë këto shqetësime. “Ata folën për hyrjen e mundshme të trupave ruse në Ukrainë në fillim të vitit. Por siç mund ta shihni, kjo nuk ndodhi”, tha ai.

Por të mërkurën, ai bëri thirrje për bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre lidhur me çështjen e zgjerimit të NATO-s në lindje.

“Në dialog me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, ne do të insistojmë në zhvillimin e marrëveshjeve konkrete që do të përjashtonin çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Lindje dhe vendosjen e armëve që na kërcënojnë pranë territorit të Rusisë. Ne propozojmë fillimin thelbësor të bisedimeve për këtë çështje.”

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në një intervistë se u takon vendeve si Ukraina dhe vetë aleancës të vendosin nëse këto vende anëtarësohen, jo Rusisë. Edhe ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Rusia nuk ka të drejtën të kërkojë garanci kundër zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.

Presidenti Joe Biden do të zhvillojë një takim virtual me zotin Putin në dhjetor.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë