Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Riho Terras, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë vizitës, Terras ka diskutuar për situatën politike në vend, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rrugën integruese të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, eurodeputeti bëri të ditur se takimet në Prishtinë ishin të fokusuara në zhvillimet politike dhe perspektivën evropiane të vendit.
“Përshëndetje nga Prishtina! Sot në mëngjes u takova me Albulena Haxhiun, Glauk Konjufcën dhe Bedri Hamzën. Diskutuam për situatën politike në Kosovë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Terras.
Greetings from #Pristina!
This morning I met with @albulenahaxhiu_, @KonjufcaGlauk, and @bedrihamzarks.
Discussed #Kosovo‘s politics and #EU enlargement.
🇽🇰’s future lies in the 🇪🇺, but membership requires reforms. We’re working on that.@eu_enlargement_ @Europarl_EN pic.twitter.com/AvytwfdDNi— Riho Terras (@RihoTerras) July 7, 2026
Ai ritheksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se anëtarësimi nuk mund të arrihet pa përmbushjen e reformave të nevojshme.
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma. Ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Terras fillimisht u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Në takim u diskutua për procesin e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet politike në vend dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të trajtohet pa vonesa të mëtejme, duke theksuar se përparimi i vendit drejt BE-së duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe jo të ndikohet nga faktorë politikë.
“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar fazën e parë formale të shqyrtimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe më pas të dërgimit për opinion në Komisionin Evropian. Aktualisht, Kosova mbetet i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Gjatë takimit, sipas Presidencës, Haxhiu foli edhe për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe ngriti çështjen e mungesës së përgjegjësisë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Në shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe vazhdimisht ka akuzuar Beogradin për përfshirje në organizimin e tij. Serbia, në anën tjetër, mohon çdo përfshirje shtetërore. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që mbështetet nga Beogradi, ndërsa institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë ekstradimin e tij.
Në kuadër të vizitës së tij, Terras u takua edhe me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë takimit u diskutua për procesin integrues të Kosovës dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian.
Konjufca vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave të Kosovës për integrim evropian dhe ritheksoi përkushtimin institucional ndaj këtij procesi.
“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Gjatë vizitës në Kosovë, raportuesi i Parlamentit Evropian zhvilloi takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Sipas Terrasit, edhe në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Vizita e Terrasit vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të presë lëvizje konkrete nga Bashkimi Evropian lidhur me aplikimin për anëtarësim, i dorëzuar në fund të vitit 2022.
Ndërkohë, mesazhi kryesor i raportuesit për Kosovën ishte se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian, por se rruga drejt anëtarësimit kalon përmes zbatimit të reformave dhe përmbushjes së kritereve të kërkuara nga blloku evropian./gazetametro.net