Presidenti Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar demonstratën e 11 marsit 1981, e cila sipas tij “ka hyrë në kalendarin e datave historike të Kosovës si reagim i rinisë studentore për avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi”.
Thaçi thotë se pas kësaj demonstrate e deri në vitin 1999 Kosova ka kaluar nëpër ngjarje që kanë vërtetuar të drejtën e saj për avancim të statusit politik dhe juridik.
“Pas demonstratës së 11 marsit në Prishtinë, pasuan të tjerat edhe më të mëdha, gjithëpërfshirëse, në qendra të tjera të Kosovës, duke artikuluar fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës”.
“Prej 11 marsit 1981 deri në qershor 1999, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje historike që vërtetuan drejtësinë e kërkesës për përparimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës”.
E gjithë kjo sipas Thaçit kulmoi me pavarësinë e Kosovës.
“E tëra kulmoi me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, Kosova është shtet i lirë, i pavarur e demokratik, republikë parlamentare me synime të qarta dhe perspektivë të sigurt euroatlantike”. /gazetametro.net