Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë së re pas vendimit të mbrëmshëm, shkruan Gazeta Metro.
Thaçi ka thënë se Gjykata Kushtetuese tregoi se vullneti i qytetarëve nuk përcaktohet vetëm nga një parti, por nga të gjitha partitë.
Ai tha se Kosovës i duhet sa më parë formimi i Qeverisë së re e cila duhet të jetë funksionale dhe efikase.
“Në këtë ditë të rëndësishme për demokracinë, shtetëndërtimin e Kosovës. Si president i vendit e mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë formimit të qeverisë së re. Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam marrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën, kjo u konfirmua edhe mbrëmë me vendim unanim të gjyqtarëve. Kushtetuesja e konfirmoj që Kuvendi është institucioni më i lart politik në vend. U konfirmua se vullneti i qytetarëve janë të gjitha partitë, jo vetëm vullneti i një partie. Tani duhet që sa më parë të themelohet qeveria e re, funksionale, efektive dhe efikase. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive, të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës”, ka thënë ai.
Thaci ka bërë thirrje që të ruhet rendi Kushtetues, derisa, tha se momentalisht duhet që të fokusohen në tejkalimin me sukses të pandemisë.
“Duhet ta ruajmë rendin Kushtetues, ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, pra të përqendrohemi në atë që është kryesorja për qytetarët dhe të sjellim zhvillim për të gjithë njerëzit, të përqendrohemi në tejkalimin me sukses të pandemisë po edhe të punojmë në rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë Thaçi.//gazetametro.net