Loading…

Thaçi: Ndërrimi i grupit parlamentar nga deputeti, tjetërsim i vullnetit të qytetarëve

  • 05/04/2021 | 19:26

Thaçi: Ndërrimi i grupit parlamentar nga deputeti, tjetërsim i vullnetit të qytetarëve

Jusuf Thaçi, analist i çështjeve politike, ka thënë se ndërrimi i grupit parlamentar nga deputeti është tjetërsim i vullnetit të qytetarëve.


Këtë koment, Thaçi e bëri pas kalimit të deputetes së PDK-së, Adelina Grainca, në GP të LVV-së.

Sipas tij, mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës fitohet vetëm përmes votës së qytetarëve.

“Kandidatët për deputetë garojnë në kuadër të një partie politike, me emër, ideologji, qëndrime, pikëpamje, ide e projekte të caktuara, si dhe e cila ka mospërputhje, mospajtime e kundërshti me subjektet tjera politike. Kur votohet, qytetarët votojnë për partinë dhe kandidatët për deputetë të asaj partie duke i pasur parasysh këto elemente të sipër-përmendura. Bazuar në vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje, secila parti politike i merr mandatet e deputetëve të fituara nga vota e qytetarëve”.

“Prandaj, cilido deputet që e ndërron grupin parlamentar dhe pretendon se është parimor, dinjitoz e me integritet, ai duhet që ta dorëzojë mandatin e deputetit, në mënyrë që ai mandat t’i kthehet partisë/grupit parlamentar që e ka fituar atë mandat nga qytetarët. Në të kundërtën, kalimi i deputetit në një grup tjetër parlamentar është qartësisht tjetërsim i vullnetit të qytetarëve, rrjedhimisht vjedhje e një mandati të deputetit nga partia që mbetet pa një mandat të deputetit, të cilin e ka fituar nga qytetarët”, deklaroi ai.

Ish-zv/ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, tha po ashtu ze në rastin më të mirë, nëse vërtet një deputet ka mospajtime parimore me grupin e vet parlamentar, “do të mund të justifikohej largimi nga grupi i vet parlamentar dhe qëndrimi si deputet i pavarur, por assesi nuk mund të justifikohet kalimi në një grup tjetër parlamentar”.

Në fund, ai tha se të njëjtin qëndrim publik e ka mbajtur edhe në rastet tjera të kalimit të deputetëve nga një grup parlamentar në tjetrin.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë