Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në Samitin në Berlin, më 29 prill, nuk mund të ketë bisedime për kurrëfarë sovraniteti të dyfishtë për Kosovën, kurrëfarë lloj autonomie, kurrëfarë Republike Serbe, e as kurrëfarë modeli të kompromisit të dy Gjermanive dhe se mund të bisedohet vetëm për njohjen e ndërsjellë të Kosovës e Serbisë, transmeton Gazeta Metro.
Presidenti i Kosovës në një intervistë për agjencinë “Beta” ka thënë se nga Samiti në Berlin nuk duhet protur se do të ndodhë një proces i ri, se do të ndodhë ndonjë mrekulli, se do të zgjidhet ndonjë problem historik, por edhe se kjo është një mundësi për të kërkuar ide, zgjidhje, e jo që ato të refuzohen.
“Sigurisht se organizatorët do të kërkojnë që dialogu i Kosovës e Serbisë të vazhdojë me mundësi të arritjes së marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, me mundësi të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, deri sa do të hapen edhe çështje tjera aktuale ndërmjet vendeve tona. Por (në Berlin) nuk do të ketë bisedime, negociata, as marrëveshje”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës, duke folur për pritjet nga Samiti, ka thënë se është në kontakt të përhershëm me zyrtarët gjermanë e farncezë dhe ka shtuar se pret që takimi të jetë i suksesshëm dhe i përgatitur mirë./gazetametro.net