Presidenti i vendit Hashim Thaçi sërish edhe sot ka folur për Ushtrinë. Ai, ka bashkëbiseduar me studentët e kolegjit UBT për shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, e njërën ndër to edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, Presidenca citon Thaçin të ketë thënë se ushtria është duke u bërë në përputhje të plotë me procedurat dhe rregulloret e punës së Kuvendit.
“Duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi, të drejtën e një vendi të pavarur dhe sovran, unë kam iniciuar këto ditë projektligjin në përputhje të plotë me procedurat, rregulloren e punës së Kuvendit, pra projektligjin për themelimin e ushtrisë së Kosovës apo transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga misioni civil në atë ushtarak”, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.
E sipas Thaçit ky propozim e ka edhe parahistorinë e vet, sepse FSK-ja është një forcë që e kemi krijuar nga zero, në kuadër të transformimeve apo shpërbërjes së TMK-së dhe pastaj fillimit të ndërtimit të FSK-së, në pjesën e dytë të vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009.
“Ka qenë një proces krejt i mbikëqyrur, i trajnuar prej faktorit ndërkombëtar, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, me të drejtë të plotë në vitin 2014 kemi marrë vendim dhe kemi pasur mbështetjen e plotë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe NATO-s, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. S’ka më kthim, ushtria do të bëhet”, ka thënë ai.
Për shkak të zhvillimeve të brendshme politike, presidenti Thaçi ka thënë se asokohe spektri politik ka hezituar që të votojë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura.
Ai, ka folur edhe për Listën Serbe, e cila sipas Thaçit ka dhënë përgjigjen e saj për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe serbët e Kosovës po shfrytëzohen vetëm si karta për nacionalizmin e autoriteteve në Beograd.
Presidenti ka folur edhe për iniciativën e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ndëretnik në Kosovë. Për Thaçin, ai komision do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe do të udhëhiqet prej përfaqësuesve të dy komuniteteve, shqiptare dhe serbe. /gazetametro.net