Ndonëse në fillim ka përgëzuar të gjithë ambasadorët në Kosovë për kontributin e tyre presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në mes rreshtash edhe ka thumbuar ata.
Përmendi paqen, dialogun, bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. E po ashtu citohet ta ketë përmendur edhe tolerancën e bashkëjetesën mes komuniteteve pa dallim përkatësisë së tyre.
Për sundimin e ligjit dhe vlerat udhëheqëse foli po ashtu. E gjithashtu edhe për arritjet në sport dhe anëtarësimin në shumë organizata ndërkombëtare.
Krejt këto që presidenti Thaçi po i quan vlera, i tha gjatë hapjes së konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Kur përmendi këto vlera, Thaçi potencoi që e bëjnë Kosovën pjesë e familjes Evropiane, edhe pse trajtimi nuk është i drejtë.
“Këto janë vlerat që janë në thelb të idesë tonë për shtetin dhe për shoqërinë. Këto vlera, më shumë se çdo gjë tjetër, na bëjnë pjesë të familjes së madhe Evropiane pavarësisht trajtimit jo të drejtë që na bëhet sot nga Bashkimi Evropian”, citohet të ketë thënë Thaçi.
“E kemi bërë të qartë se e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe politika jonë e jashtme angazhohet me tërë fuqinë e saj për realizimin e kësaj aspirate”, tha tutje Thaçi, transmeton gazetametro,net.
Presidenti ka folur edhe për marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimin e afërt me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe shtetet fqinje të Kosovës, të cilat janë thelbi i politikës së jashtme.
Mes fjalësh Thaçi ka rikujtuar se arena ndërkombëtare nuk ka qenë kurrë më e tensionuar dhe e kërcënuar nga rreziqe të natyrave të ndryshme.
Presidenti ka kërkuar nga ambasadorët që bashkërisht të jenë të vëmendshëm dhe të ndërmarrin veprime parandaluese kundër disa ideologjive dhe tendencave të cilat janë krejtësisht të papranueshme për shtetin dhe shoqërinë tonë.
“Idetë ekstremiste e radikale, pa marrë parasysh se nga çfarë ideologjie e kanë pikënisjen e tyre, idetë diskriminuese kundër komuniteteve apo individëve apo grupeve të caktuara, janë të papranueshme në shoqërinë tonë. Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, roli i juaj të nderuar ambasadorë është i pazëvendësueshëm”, ka theksuar ai./gazetametro.net